Sport Kartoni i verdhë i Xhakës nën hetim, dyshime për skandal të madh...

Kartoni i verdhë i Xhakës nën hetim, dyshime për skandal të madh bastesh

Agjencia Kombëtare e Krimit në Angli po heton një karton të verdhë të marrë nga futbollisti Granit Xhaka në një ndeshje të Premier League të Arsenalit kundër Leeds më 18 Dhjetor, pasi ka dyshime se është pjesë e një skandali bastesh.

Edhe pse Arsenali për të cilin luan Xhaka fitoi me rezultatin 4-1, Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë për vonesë loje.

Sipas prestigjiozes britanike Daily Mail, hetimet për rastin në fjalë u nisën fillimisht nga Federata Angleze e Futbollit me dyshimet se në një pikë bastesh një përdorues vuri bast me shumë prej 52 mijë paundësh që Xhaka do të merrte karton të verdhë në 10 minutat e fundit të ndeshjes dhe fitoi 250 mijë paund.

Në minutën e 86-të të ndeshjes, Xhaka qëndron për rreth 20 sekonda para topit duke mos ekzekutuar një goditje dënimi dhe merr karton të verdhë nga gjyqtari Andre Marriner për humbje kohe.

Kjo u raportua në FA për shkak të shumës së madhe të parave të përfshira, ndërsa disa burime kanë thënë për Sportsmail se shuma ishte shumë më e madhe se ajo që vihet zakonisht me kartonët e verdhë.

Një tjetër aspekt i çuditshëm i ngjarjes ishte se shanset e ofruara në shkëmbimin e basteve për ndëshkimin e Xhakës ishin më të larta në 10 minutat e fundit se sa para fillimit të ndeshjes.

Daily Mail bën të ditur se FA nuk ka hapur asnjë hetim për Xhakën, por mësohet se ia ka kaluar informacionin që ka mbledhur në Agjencinë Kombëtare të Krimit.