Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin për projektin e Butrintit, i kundërshtuar nga opozita.
Bëhet fjalë për projektligjin nr.50/2022 “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
“Cënon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO. Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.
Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje. Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Në Parkun e Butrintit do të bëhet investim nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, zonë e cila krahas aktivitetit ekonomik tha se do të kthehet në hartën e parqeve pa karbon.
Pak ditë më parë, Kuvendi miratoi me 75 vota pro, ligjin për administrimin e Parkut të Butrintit nga Fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillim për 10 vitet e ardhshme.