Në mbledhjen e tetë mes qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, u firmosën 19 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në disa fusha.
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, firmosën në Prishtinë 19 marrëveshje dhe memorandume në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike.
Ministrat e Energjisë dhe Infrastrukturës prezantuan marrëveshjen për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë. Fondi për këtë projekt është 1 milion e 980 mijë euro,ku Shqipëria do të mbulojë 51% të këtij financimi ndërsa pjesën tjetër do e mbulojë Kosova.
Po në këtë fushë, u firmos edhe një marrëveshje, për ndërtimin e përbashkët të rrugëve në fshatrat që ndodhen pranë dy anëve të ndryshme të kufirit.
Dy kabinetet qeveritare ranë dakord që të mos ketë kufij mes vendeve gjatë ditëve të festave dhe në fundjavë në periudhën 1 qershor-30 shtator. Me këtë marrëveshje qytetarët e dy vendeve mund të kalojnë pa u regjistruar në kufi gjatë kësaj periudhe.
Një tjetër marrëveshje e firmosur është për pranimin e studenteve në universitetet e dy vendeve. U ra dakord që të unifikohen të gjitha proceduarat që lidhen me aplikimin apo regjistrimin e studenteve.
Dy ministrat e Brendshëm, nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale për gjendjen civile. Pra në rast se një shtetas i Kosovës martohet në Shqipëri do të njoftohet në kohë reale gjendja civile në Kosovë
Ndërsa ministrat e Financave, nënshkruan marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave për realizimin e të drejtës për pension.
Dy vendet kanë si qëllim që të shkojnë drejt bashkimit doganor dhe këtë firmosën për ngritjen e një grupi pune që do të bëjë gati planin.