Një zjarr ka rënë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në garazhin e një pallati në rrugën “Aleksandri i Maqedonisë” në zonën e Unazës së Re në kryeqytet, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve.
Flakët fillimisht janë parë në garazh dhe më pas tymi është përhapur në të gjithë pallatin. Banorët kanë dalë menjëherë jashtë, ndërsa zjarrfikësit kanë mundur të shuajnë flakët vetëm pas disa orësh. Si pasojë e zjarrit 8 persona të moshave nga 23 deri në 50 vjeç kanë pësuar lëndime, kryesisht nga asfiksia.
Ata janë dërguar në spital ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë që nga zjarri janë djegur edhe 4 makina që ndodheshin në garazh.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarrit.