Politika Berisha: “Ballkani i Hapur” është asgjësimi i Kosovës dhe spastrimi etnik i...

Berisha: “Ballkani i Hapur” është asgjësimi i Kosovës dhe spastrimi etnik i Shqipërisë

Në aktivitetin e zhvilluar “Kurrë mos harro”, libri mbi gjenocidin serb në Kosovë i pranishëm ka qenë dhe kryetari i PD, Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se projekti i “Ballkanit të Hapur” është asgjësimi i Kosovës.

““Ballkani i Hapur” është asgjësimi i shtetit të Kosovës. Diktatorët nuk fshehin asgjë, të shitur thonë atë që u thonë padronët e tyre. Putin tha gjithçka për këto që po bën. Nuk i fshehu ai këto. Problemi ishte se të tjerët nuk i besuan. A po i fsheh Vuçiç qëndrimet e tij? A nuk erdhi ai në Kosovë në 3 vizita dhe deklaroi se Serbia do të bëhet më e madhe? Nga do të bëhej më e madhe? Nga Kosova. A pati reagim nga plebenjtë e politikës shqiptare?”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike Berisha është shprehur se nisma e “Ballkanit të Hapur” është antievropiane dhe proruse.

“Është një projekt antievropian, një projekt pro rus. Është një projekt i vendosjes së hegjemonisë serbe në rajon. Rusët kanë qenë fuqia më e madhe më e interesuar për Ballkanin. Interesi rus në Ballkan është Adriatiku. Ballkani i Hapur është një projekt antievropian dhe një hordhi, shqiptarët e mbështesin në verbëri të plotë duke harruar se cilat janë pasojat e tij shkatërrimtare, duke harruar se nuk kanë asnjë qëllim tjetër përveç asgjësimit të shtetit të Kosovës dhe spastrimit etnik të Shqipërisë. Ky është një projekt i rrezikshëm për kombin tonë. Ora dhe koha fton shqiptarët të mos harrojnë se ndodhen para një rreziku shumë të madh, ekzistencial”, tha Berisha.

Berisha ka thënë se Aleksi Soros është pardon i Samitit të Ohrit ku u mbajt “Ballkani i Hapur”.

“Ne jemi shndërruar po aq vasalë sa ç’ishim në 45-ën. Sot ka një faktor të 3 madhor dhe ky quhet Soros. Kam ndjekur me vëmendje reagimet ndaj Ballkanit të Hapur, të gjithë serbofilët u hodhën në sulm për të mbrojtur Samitin e Ohrit ku u mohua çdo gjë. Krah për krah me ta edhe seria e shërbëtorëve të Soros, sponsor i të gjitha projekteve antishqiptare. Aleksi Soros është pardon i samitit dhe ky person që përbën një monstër ndërkombëtare dikton fuqishëm edhe ambiguitet në politikën e SHBA për shkak të ndikimit të diplomatëve”.

Në fund të fjalës, kreu i PD-së u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të ngrihen në lartësinë që t’u përgjigjen thirrjeve të miliona shqiptarëve që ranë.

“Thirrja ime është për shqiptarët kudo që janë që të ngrihemi në lartësinë që t’u përgjigjemi thirrjeve të miliona shqiptarëve që ranë, u flijuan që ne të mbijetojmë. Ne nuk duhet të kemi komplekse nga askush. Kosova nuk i ka shpallur askujt luftë që tani e kërcënojnë me luftë. Unë jam optimist se edhe ky agresion i pashpallur serb ndaj Kosovës do të dështojë”.