Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur rreth një fraze që u raportua se Edi Rama ka thënë në samitin e Ohrit se “do ta rrëzojë Albin Kurtin nga pushteti brenda shtatorit”.
Ali Ahmeti ishte i pranishëm në këtë samit dhe thotë se kjo nuk është absolutisht e vërtetë.
“Jo asesi. Kjo s’ka qenë fare kjo bisedë”, – e mohoi Ahmeti këtë deklaratë në emisionin Pressing në T7.
“Edi Rama ka shprehur shqetësim para meje. Ai donte se si të afrohej me autoritetet në Kosovë që të shpjegonte të kthjellonte gjërat më mirë. Jo të imponueshme, por të sqarueshme.
Iniciativa “Ballkani i Hapur” nuk është obliguese për palët. Mali i Zi dhe Bosnja ishin si vëzhguese. U nënshkruan marrëveshje me rëndësi.
Ç’ka humb Kosova nëse e merr pjesë në iniciativë me flamur të vetin. Merr pjesë si e barabartë. E barabartë në mesin e të barabartëve. I pranon marrëveshjet e leverdishme.
Nuk i pranon ato që nuk i konvenojnë. Nuk kam dëgjuar asnjë argument të vlefshëm. Thonë se Serbia do ta dominojë tregun. Por në Serbi janë krejt investime të huaja vëlla. Investimet të huaja gjermane, franceze, turke e kështu me radhë”, – shton ai.
Ahmeti ka treguar edhe se çfarë ka biseduar për “Ballkanin e Hapur” me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Samitin e Ohrit.
Ahmeti njihet si përkrahës i kësaj nisme, por shton se ka pasur rezervat e veta rreth kësaj çështje.
“I thashë në takim edhe Edi Ramës edhe Aleksandër Vuçiçit. Edhe përfaqësuesi i Malit të Zi ishte aty. U thashë: “Ju e keni marrë përsipër këtë çështje. Çfarë doni të arrini?
Edhe unë dua t’u jap fund pritjeve në kufi, por unë e kam kuptuar ndryshe këtë nisme. Ky është një mision që shkon drejt pajtimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Deri në Luftën e Dytë Botërore, ishin luftëra fetare. Lufta që i dha fund paqes ishte Lufta e Parë Botërore. Nëse i jeni futur kësaj rruge për të përfunduar luftën, jam para juve. Sepse kështu e kam kuptuar.
Vuçiç më tha: ‘Zoti Ahmeti, do na provosh pas një viti’. U ktheva nga Edi. Më tha: ‘S’kam çfarë të shtoj’. Pas një viti frytet do të shihen” – tha Ahmeti që këmbënguli se Kosova duhet të vijojë dialogun me Serbinë.