Intervistë me Dr. Mutlaq bin Majed Al-Qahtani, I Dërguari i Posaçëm i Ministrit të Jashtëm të Shtetit të Katarit për Antiterrorin dhe Ndërmjetësimin në Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve (Gjatë vizitës së tij në Republikën e Shqipërisë)
Dr. Mutlaq bin Majed Al-Qahtani është i Dërguari i Posaçëm i Ministrit të Jashtëm të Shtetit të Katarit për Antiterrorin dhe Ndërmjetësimin në Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve.
Javën e kaluar ai ishte në Tiranë për një takim të Bordit Drejtues GCERF, fond i specializuar në mbështetjen e projekteve që synojnë parandalimin dhe adresimin e ekstremizmit të dhunshëm, i cili mund të çojë në terrorizëm. Shteti i Katarit është anëtar themelues dhe financuesi kryesor i këtij fondi dhe është shteti i vetëm arab dhe mysliman që financon këtë fond, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Japoninë, Zvicrën, Gjermaninë, Holandën, si dhe shtete të tjera evropiane.
Vox News shfrytëzoi rastin që në këtë eveniment të zhvillonte një bisedë me Dr. Mutlaq bin Majed Al-Qahtani. Ai ka marrë çmimin “Ambasador i Paqes” në vitin 2015 nga Federata Botërore e Paqes në Auckland, Zelandën e Re. Gjithashtu ka fituar çmimin e “Negociatorit më të Mirë” për vitin 2020 nga Instituti i Kombeve të Bashkuara për Trajnim dhe Kërkim “UNITAR”, në vlerësim të rolit dhe përpjekjeve të tij për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe arritjen e paqes në rajon dhe në botë.
Dr. Mutlaq ka luajtur një rol të spikatur në negociatat e paqes të pritura nga Shteti i Katarit midis Lëvizjes Talebane dhe Qeverisë Afgane, si dhe me Shtetet të Bashkuara, të cilat u përfunduan me Marrëveshjen e Paqes në shkurt 2020 në Doha.
Ai ka përfaqësuar gjithashtu Shtetin e Katarit në negociatat e paqes në Sudan, të zhvilluara në patronazhin e Dohas që nga marrëveshja e vitit 2014 në Darfur, krahas përpjekjeve në nivel global kundër terrorizmit dhe zgjidhjes së konflikteve.
Dr. Mutlaq Al-Qahtani ka shërbyer më parë si Drejtor i Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme të Katarit, si dhe ka qenë Shef Kabineti i Presidencës së sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në periudhën 2011-2012, kur presidencën e kishte Shteti i Katarit.
Më poshtë intervista për Vox News…
Vox News: Së pari ju përshëndes dhe falënderoj për këtë intervistë. Dhe më lejoni të shfrytëzoj rastin për t’ju uruar mirëseardhjen në Republikën e Shqipërisë. Kjo është hera e parë që vizitoni Republikën e Shqipërisë. Cila është arsyeja e kësaj vizite dhe çfarë përshtypjesh keni për Shqipërinë dhe popullin shqiptar?
Dr. Al-Qahtani: Ju faleminderit juve. Po, kjo është vizita ime e parë në Republikën e Shqipërisë dhe jam shumë i lumtur për këtë. Shqipëria është një vend mik për Shtetin e Katarit. Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera dhe ne i kushtojmë shumë rëndësi zhvillimit të tyre, si dhe forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë midis dy vendeve. Shteti i Katarit ka një ambasadë në Tiranë dhe përfaqësohet më së miri nga një ambasador i shkëlqyer. Populli shqiptar është dashamirës dhe bujar, i dalluar për mikpritjen dhe ruajtjen e traditave autentike, karakteristika këto që janë të përbashkëta midis dy popujve tanë.
Për pjesën e dytë të pyetjes suaj, në kryeqytetin tuaj Tiranë u zhvillua një takim i nivelit të lartë të Bordit Drejtues të GCERF dhe nëpërmjet jush dua të falenderoj edhe njëherë qeverinë shqiptare për pritjen e kësaj konference të rëndësishme.
Shteti i Katarit është anëtar themelues dhe financuesi kryesor i këtij fondi të specializuar në mbështetjen e projekteve që synojnë parandalimin dhe adresimin e ekstremizmit të dhunshëm, i cili mund të çojë në terrorizëm. Ne jemi vendi i vetëm arab dhe mysliman që financon këtë fond, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Japoninë, Zvicrën, Gjermaninë, Holandën, si dhe shtete të tjera evropiane si themeluesit dhe donatorët më të mëdhenj të GCERF.
Vox News: Si i sheh Shteti i Katarit konfliktet aktuale në botë, veçanërisht atë që po ndodh në Ukrainë? Cili është pozicioni i vendeve të Lindjes së Mesme për konfliktin ruso-ukrainas?
Dr. Ah-Qahtani: Ne jemi kundër zgjidhjeve ushtarake dhe inkurajojmë gjithmonë zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet mjeteve paqësore. Shpresojmë shumë që ky konflikt të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse besojmë se nuk ka fitues në këto konflikte, por të gjithë janë të humbur.
Pasojat e kësaj lufte janë shumë të rënda dhe shtrihen jo vetëm në kufijtë e rajonit, por kapërcejnë edhe në shtete të tjera, veçanërisht në Afrikë, sidomos në aspektin e sigurisë ushqimore.
Nuk dua të flas për qëndrimet e vendeve të tjera, por nga sa shohim ka disa qëndrime të ndryshme mbi këtë krizë që bazohen në këndvështrimin politik të këtyre shteteve mbi atë që po ndodh atje.
Sa i takon qëndrimit tonë, Katari është kundër çdo operacioni dhe ndërhyrjeje ushtarake. Ne nuk mbështesim ndërhyrjet në punët e brendshme të shteteve, apo kërcënimin e pavarësisë dhe integritetit territorial të tyre. Ne gjithmonë nxisim dhe theksojmë nevojën për të zgjidhur mosmarrëveshjet me mjete paqësore
Vox News: Cili është kontributi i shtetit të Katarit në promovimin e paqes dhe stabilitetit në botë? Mund të na jepni disa shembuj?
Dr. Al-Qahtani: Udhëheqja e Shtetit të Katarit ka një vullnet të fortë dhe të qartë politik dhe populli i tij ka një interes dhe dëshirë të madhe për të punuar dhe kontribuar në arritjen e stabilitetit dhe paqes rajonale e globale.
Ne në shtetin e Katarit jetojmë në një rajon të paqëndrueshëm dhe zonë gjeografike ku shpeshherë ndodhin ngjarje të rrezikshme. Prandaj besojmë në rëndësinë e ndërmjetësimit dhe përpjekjeve të mira si një mjet për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Shteti i Katarit i konsideron ndërmjetësimin dhe përpjekjet e mira si shtyllë të politikës së tij të jashtme.
Nisur nga kjo bindje dhe përmes përpjekjeve të mira, Shteti i Katarit ka mundur që gjatë 25 viteve të fundit ta paraqesë veten si ndërmjetësues të konsiderueshëm në arenën rajonale dhe ndërkombëtare. Në këtë mënyrë ai ka arritur të ndërmjetësojë me sukses në konflikte të ndryshme në Sudan dhe Liban, midis Xhibutit dhe Eritresë, ndërmjet Somalisë dhe Kenias, si dhe në Afganistan. Aktualisht po ndërmjetësojmë midis palëve në Çad për të arritur një zgjidhje të situatës atje.
Arsyet e suksesit të Shtetit të Katarit në këto ndërmjetësime janë të shumta, si: besueshmëria dhe profesionalizmi në angazhimin e Katarit, ruajtja e konfidencialitetit dhe qëndrimi pranë të gjitha palëve me të njëjtën distancë, respektimi i ligjit ndërkombëtar gjatë përpjekjeve diplomatike, si dhe veprimi në kuadër të aleancave strategjike dhe partneriteteve ndërkombëtare e rajonale në arritjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rrafsh ndërkombëtar e rajonal.
Vox News: Çfarë roli luajti Katari në arritjen e marrëveshjes së paqes në Afganistan?
Dr. Al-Qahtani: Që nga dita e parë e konfliktit në Afganistan, ne kemi lobuar për arritjen e një zgjidhjeje paqësore përmes negociatave. Ajo që ndodhi në Afganistan gjatë viteve të fundit, besoj se vërtetoi korrektësinë e vizionit të Katarit në këtë drejtim.
Ne kemi thënë që krye të herës se nuk ka zgjidhje ushtarake për atë që po ndodhte në Afganistan. Dhe pas 20 vite luftimesh, procesi i stabilitetit dhe paqes erdhi vetëm përmes negociatave midis palëve të brendshme në konflikt nga njëra anë, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ana tjetër me ndërmjetësimin e Katarit. Negociatat u zhvilluan në Doha dhe konkluduan me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Lëvizjes Talebane më 29 shkurt 2020.
Unë besoj se ajo që na ndihmoi për të realizuar një ndërmjetësim të suksesshëm në Afganistan, është elementi i ndërgjegjësimit të Katarit për ndjeshmërinë kulturore afgane, krahas elementëve të tjerë që përmenda më lart.
Sipas mendimit tim, janë dy elementë që duhet të merren parasysh kur ndërmjetësohet për t’i dhënë fund çdo konflikti. E para është se zgjidhjet e jashtme ose të importuara nga jashtë nuk janë zgjidhja e duhur. Imponimi i zgjidhjeve të jashtme nuk është një mënyrë e mirë dhe e dobishme. Elementi i dytë është se, nëse dëshironi të ofroni ndërmjetësim dhe ujdi për palët në konflikt, duhet të mbani parasysh përbërjen e tyre shoqërore dhe politike.
Vox News: Mendoni se Perëndimi dështoi në Afganistan?
Dr. Al-Qahtani: Disa njerëz mund ta interpretojnë kthimin e talebanëve në pushtet në Afganistan si një dështim të Perëndimit. Por besoj se pyetja nuk është nëse Perëndimi dështoi në Afganistan apo jo, por cilat janë mësimet që mund të nxirren nga njëzet vjet luftë në Afganistan?
Përgjigja është se mësimet e nxjerra janë të shumta, më e rëndësishmja prej të cilave është ajo që theksova më lart: zgjidhjet nga jashtë nuk funksionojnë. Ato duhet gjetur nga brenda, jo të imponohen nga jashtë. Mësimi tjetër është se çdo përpjekje apo nismë e ndërmarrë nga vendet e treta duhet të marrë në konsideratë ndjeshmëritë kulturore të këtyre shoqërive. Ndërsa mësimi më themelor është dhe mbetet se nuk ka zgjidhje ushtarake për këto konflikte.
Vox News: Republika e Shqipërisë ka pritur grupe që janë larguar nga vendet e tyre për shkak të konflikteve; e kam fjalën për refugjatë afganë, një numër i të cilëve kanë ardhur në Shqipëri nëpërmjet Dohas. Cili është vlerësimi juaj për pritjen e tyre nga Shqipëria? Dhe a mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë e vendit qëndrimi i tyre në Shqipëri?
Dr. Al-Qahtani: Pritja e familjeve afgane që zgjodhën të largoheshin nga Afganistani është një akt humanitar. Shumë vende kanë mikpritur refugjatët afganë, përfshirë këtu edhe Republikën e Shqipërisë.
Padyshim, vendimi për strehimin e refugjatëve të ardhur nga zonat e konfliktit është një vendim sovran për çdo vend. Ndërsa përcaktimi nëse këta refugjatë paraqesin apo jo rrezik sigurie, kjo mbetet në vlerësimin dhe gjykimin e autoriteteve kompetente të vendit pritës.
A mendoni se terrorizmi mbetet ende dhe sot rreziku kryesor që ka bota?
Dr. Al-Qahtani: Terrorizmi është dhe do të vazhdojë të mbetet rrezik dhe kërcënim për sigurinë ndërkombëtare, për sa kohë nuk adresohen shkaqet e tij rrënjësore, siç janë përhapja e luftës dhe konfliktet e armatosura. Strategjia e Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit thotë se shkaku kryesor i terrorizmit janë luftërat dhe konfliktet.
Këto luftëra dhe konflikte të armatosura në mbarë botën krijojnë një boshllëk politik dhe sigurie që shfrytëzohet nga grupet ekstremiste në shërbim të agjendave të tyre, gjë që çon në shfaqjen e lëvizjeve terroriste, të cilat kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Vox News: Në perëndim kur flitet për terrorizmin i bëhet një lloj lidhjeje me islamin. A është kjo thjesht një stereotip, apo ka bazë reale…
Dr. Al-Qahtani: Unë e mirëkuptoj pyetjen dhe nuk dua të bëj një krahasim midis terrorizmit që i mvishet fesë islame dhe atij që i mvishet së djathtës ekstreme në Perëndim. Fakti i padiskutueshëm është se terrorizmi nuk ka fe apo përkatësi.
Përzierja e Islamit me terrorizmin është një çështje shumë e rrezikshme. Islami refuzon dhe hedh poshtë çdo lloj dhune apo terrori, sikurse ndalon kategorikisht vrasjen e tjetrit apo edhe vetëvrasjen.
Është e vërtetë se shumica e konflikteve dhe luftërave zhvillohen në një zonë gjeografike islame. Rreth 60% e konflikteve që ndodhin sot janë në vendet islame, çka krijon përshtypjen se ekziston një lidhje mes kësaj feje dhe këtyre shoqërive me terrorizmin.
Nga ana tjetër, shpesh dëgjojmë në vendet perëndimore se një sërë praktikash që ndodhin në to, si diskriminimi racor ndaj një grupi të caktuar, i shtyjnë disa njerëz në hakmarrje dhe të kryejnë akte dhune dhe ekstremizmi.
Nëse shikoni, për shembull, luftën kundër organizatës terroriste ISIS, do të vini re se statistikat tregojnë se në Siri dhe Irak pati 45 mijë luftëtarë të huaj të ardhur nga rreth 100 vende të botës. Kjo tregon se sfidat në luftimin e terrorizmit nuk burojnë vetëm nga rajoni, por vijnë edhe nga jashtë, që do të thotë se terrorizmi është një problem global dhe jo rajonal.
Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet të solidarizohet dhe të bashkëpunojë për të luftuar këtë fenomen. Të gjithë duhet të vendosim një strategji gjithëpërfshirëse dhe të integruar për të luftuar terrorizmin dhe të gjitha shkaqet që çojnë në të, siç është dhe ekstremizmi i dhunshëm, dhe të mos mjaftohemi vetëm me ndërhyrje ushtarake.