Ambasada e SHBA-së është institucioni më i besuar (52,6%) nga shqiptarët.
Barometri në Euronews Albania i pyeti shqiptarët lidhur me besimin që ata kanë te institucione të ndryshme të vendit.
Rezultatet tregojnë se ndërkombëtarët janë ata të cilët gëzojnë më shumë besim mes qytetarëve. Gjysma e shqiptarëve (50,2%) i beson delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Më shumë se dy në pesë shqiptarë (45,3%) ka shprehur besim tek i gjithë komuniteti ndërkombëtar që vepron në Shqipëri.
Sa i përket institucioneve shtetërore, për shqiptarët më e besuara ndër to është qeveria (34,6%), dhe më pas policia (33,7%) dhe ushtria (30,1%).
Mediat nuk gëzojnë besim të lartë mes shqiptarëve. Më pak se një në pesë shqiptarë i beson medias tradicionale (18,9%), asaj online (13,2%) apo informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale (11%).
Mes institucioneve shtetërore, ai që gëzon më pak besim mes qytetarëve është Presidenti i Republikës (2,2%) dhe Partitë Politike (3,1%).
Gjetjet janë të anketës së Barometrit në Euronews Albania, kryer nga MRB dhe DataCentrum në nivel kombëtar me 1000 intervista ballë për ballë në familje, mes datave 23 maj – 4 qershor.