Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në forumin europian Wachau në Austri për temën “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE”.
Me gjuhën kritike të ditëve të fundit, edhe në këtë forum Rama përsëriti se ndihet i keqardhur për vendimin e BE-së për të mos çelur negociatat.
Ai u shpreh sakaq se Bullgaria, si një vend i NATO-s, ka marrë peng dy vende të tjera të aleancës.
“Austria më duket vendi i përsosur për të diskutuar Europën dhe Ballkanin Perëndimor. Sot BE ka nevojë për Ballkanin, po aq sa ka nevojë Ballkani për BE. Më lini t’ju them se nuk ka vend më të mirë se Austria për të marrë veten nga mbledhjet depresive të Brukselit.
Më duhet të them së pari dhe kryesisht se ndihem i keqardhur për BE-në, ndihem vërtetë i keqardhur. Shumë njerëz i komentuan ato çfarë thashë në konferencën për shtyp dhe atë që ne shprehëm pas daljes nga samiti si shprehje zemërate. Po mund të jetë, por nuk ka të bëjë me ne, ka të bëjë me BE. Pasi qëndruam për 4 orë, i pamë, i dëgjuam dhe ndjemë pafuqinë përballë një situate surreale ku një vend i NATO-s, Bullgaria, merrte peng dy vende të tjera të NATO-s, RMV dhe Shqipërinë, në mes të një lufte të nxehtë në kufijtë e Europës”, u shpreh Rama.
Sipas kryeministrit shqiptar, kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë, por në tërësi me frymën e Bashkimit Europian.
“Ajo çfarë ndodhi me Bullgarinë ishte se si zgjerimi është transformuar në një mjet për të marrë peng shtetet e tjera për hir të problemeve të brendshme”, theksoi Rama.