Policia e Tiranës arrestoi 3 persona të cilët pas një sherri me njëri-tjetrin, goditën edhe punonjësit e policisë për shkak të detyrës.
Policia po shoqëronte një 26-vjeçar, të akuzuar se kishte dhunuar bashkëjetuesen e tij. Por sipas autoriteteve, e dhunuara dhe babai i 26-vjeçarit kundërshtuan veprimin e policisë dhe gjithashtu goditën punonjësit e policisë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marie Logoreci”, një shtetas po dhunonte bashkëjetuesen e tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë. Gjatë shoqërimit, shtetasi O. Xh., i cili kishte dhunuar bashkëjetuesen e tij, shtetasen H. D., 23 vjeçe, së bashku me 23-vjeçaren dhe babain e tij, shtetasin E. Xh., kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë, për të penguar shoqërimin në Komisariat”, tha Policia.
Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– O. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;
– E. Xh., 55 vjeç dhe H. D., 23 vjeçe, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.