Edi Rama mori pjesë këtë të martë në një takim ekspertësh shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit, përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë.
Kryeministri u shpreh se duhet të rritet komunikimi mes prodhuesve në vend. Ai mori shembullin e qershive, duke thënë se ka bujq që nuk i shesin dot qershitë, ndërsa të tjerë bëjnë para me to. Ai theksoi se duhet të ketë komunikim mes tyre.
“Nuk ka nevojë të na dëgjojë askush ne, mjafton të shkojë të shikojë se çfarë bëjnë të tjerët. Disa fermerë dalin dhe ankohen për qershitë që nuk i shesin dot, kjo do të ishte shqetësuese nëse kështu do të ishte në të gjithë vendin. Por nuk është kështu, pasi ka të tjerë që bëjnë sukses. Cili është dallimi mes të dyve? Disa e hedhin prodhimin, disa bëjnë të ardhura në të njëjtin shtet?
Çfarë duhet bërë këtu? E para, ata fermerë duhet të marrin mundimin dhe të shkojnë tek ata të tjerë e t’u thonë, si e bëni ju këtë? E dyta, i takon ministrisë të krijojë kanale komunikimi”.
Më tej, Rama ngriti alarmin se për shkak të krizës globale, flitet për një dimër të ashpër, por sipas tij, të paktën aktualisht, Shqipëria nuk është në këtë listë vendesh.
“Kriza që ne kemi sot para syve tanë, as është krijuar nga ne dhe as nuk mund ta ndalojmë ne. Është një krizë botërore. Sot flitet për një dimër të ashpër dhe mungesa të mëdha në disa zona të botës, ku ne nuk përfshihemi për momentin. Po ashtu edhe me rritjen e çmimit të energjisë dhe të naftës”, tha Rama.