Numërimi mbrapsht ka filluar. Nga 16 janari i vitit 2023, vizitorët në Venecia të Italisë do të duhet të paguajnë për të hyrë në qytet. Në këtë mënyrë, Venczia bëhet qyteti i parë në botë që kërkon një tarifë hyrëse. Një vendim i tillë u bë i ditur nga këshilltari i Venecias për turizmin, Simone Venturini, në një konferencë për shtyp ditën e sotme.
Venturini e quajti masën e re një revolucion të madh dhe një zgjidhje për problemin e mbiturizmit me të cilin qyteti ka luftuar për dekada të tëra.
Kostoja e biletës do të variojë nga një minimum prej 3 euro deri në 10 euro. Çmimi nuk do të jetë fiks, por do të ndryshojë sipas numrit të vizitorëve: Sa më shumë kërkesa për hyrje, aq më e lartë është kostoja.
Venturini shpjegoi se qëllimi nuk është të mbyllë qytetin, por t’i bëjë njerëzit të rezervojnë praninë e tyre në këtë qytet për të reduktuar mbipopullimin.
“Venecia është një qytet i gjallë dhe duhet të qëndrojë i tillë”, tha ai.
Sistemi i rezervimit të biletave dhe platforma e tij online do të zbulohen këtë vjeshtë.
Këshilltari për buxhetin, Michele Zuin bëri të ditur se ka shumë përjashtime përsa i përket blerjes së biletave.
Banorët dhe fëmijët nën moshën 6 vjeç do të përjashtohen, si dhe personat me aftësi të kufizuara, pronarët e shtëpive, ata që vijnë në qytet për arsye shëndetësore ose për të vizituar të afërmit dhe ata që vijnë për të marrë pjesë në një ngjarje sportive ose kulturore.
“Nuk është një sistem për të fituar para, por për të menaxhuar flukset turistike,” theksoi Zuin.
Të ardhurat nga tarifa e hyrjes do të shkojnë për uljen e taksave të venecianëve, të cilat tashmë janë shumë të larta për shkak të volumit të madh të turistëve që duhen akomoduar.
Tarifa e hyrjes do të zbatohet për qendrën historike të Venecias dhe ishujt e mëposhtëm:
Lido di Venezia, Pellestrina, Murano, Burano, Torcello, Sant’Erasmo, Mazzorbo, Mazzorbetto, Vignole, S. Andrea, La Certosa, S. Servolo, S. Clemente dhe Poveglia.