Mediet greke kanë zbardhur detaje të reja nga përplasja në Athinë mbrëmjen e së shtunës që përfundoi me tri viktima.
Sipas informacioneve të protothema.gr, sherri ka ndodhur mes dy familjeve shqiptare të cilat ishin shpërndarëse droge.
Gjithçka nisi mëngjesin e së shtunës, kur anëtarët e dy familjeve u takuan në rrugën Kourtidou, në Kato Patisia, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre personale. Por situata doli jashtë kontrollit.
Më vonë gjatë ditës, rreth orës 21:30, në kryqëzimin e rrugëve Georgiou Nazou dhe Kourtidou, në Kato Patisia, një Mercedes me një drejtuese femër dhe dy pasagjerë të tjerë është afruar dhe ka qëlluar një drejtues motori të ri, duke e plagosur rëndë.
Motoçikleta ndiqej nga babai i viktimës, me një makinë tip Audi, në të cilën udhëtonin dy persona të tjerë.
Babai, sipas burimeve të ELAS-it, ka qëlluar autorin e plagosjes së të birit.
Pasagjeri i Audi-t, i cili tentoi të vraponte për t’u mbrojtur, u godit dhe u plagos nga një makinë që ishte duke kaluar.
Në të njëjtën kohë, pasagjeri i Mercedesit i cili më parë kishte hapur zjarr u largua nga makina. Menjëherë pas kësaj ai ka ndaluar një shofer që kalonte dhe i ka marrë me armë mjetin, një Yaris i zi dhe iku drejt Agioi Anargyros.
Κ Ο Λ Ο Μ Β Ι Α .#κατω_πατησια pic.twitter.com/5j37Rl6uIU
— ΜπελΧαρρά Βέρρα (@Axolotl_pragmat) July 2, 2022
Policia nisi kërkimet për gjetjen e shqiptarit të arratisur nga Patisia dhe e lokalizoi atë në 124 Avenue, në Agioi Anargyrou, ku dyshohet se kishte për qëllim të kryente një grabitje në një lokal.
I dyshuari ka tentuar të ikë në këmbë. Makina e patrullës e ka ndjekur. Më pas, shqiptari ka qëlluar në drejtim të efektivëve të policisë, duke plagosur njërin në këmbë, ndërsa i dyti ka marrë një plumb lart në shpatull.
Policia iu përgjigj zjarrit, duke plagosur për vdekje autorin e armatosur.
Ndërkohë është arrestuar edhe drejtuesja femër e Mercedesit.
Dy efektivët e policisë të plagosur janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401 të Athinës.