Kryeministri Edi Rama duket i prerë kur thotë se nuk do të lejojë të shkelen normat etike në konferencat e tij për shtyp.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ai thotë se qeveria u tërhoq për të normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim dhe jo nga frika e presionet.
“E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet. Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim. Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë”, shkruan Rama.
Ndërkohë, kryeministri është ndalur edhe tek debatet që ka pasur me gazetarët gjatë konferencave të tij për shtyp. Kreu i qeverisë thotë se gazetarët nuk janë të mirëseardhur për ta pyetur atë kur ata në mënyrë të përsëritur shkelin etikën.
“Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave. Por ja që asgjë s’ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi! Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”, po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur”, shprehet më tej Rama në Twitter.
Kujtojmë që në konferencën për shtyp të premten, kryeministri Edi Rama përjashtoi një gazetar pas pyetjes që ky i fundit i bëri ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
“Do kalosh në riedukim për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi. Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të gazetarit ndërkohë vazhdon mban fjalime. Për pyetje të përsëritura pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim, përgjigjet e radhës do e marrësh pas tre muajsh, në Tetor hajde”, shprehej Rama gjatë asaj konference drejtuar gazetarit.