Aktualitet ‘Far West-i’ shqiptar në Athinë, flasin dëshmitarët: Pamë një polic që çalonte...

‘Far West-i’ shqiptar në Athinë, flasin dëshmitarët: Pamë një polic që çalonte dhe një tjetër shtrirë…

“Ne pamë një polic që çalonte dhe një tjetër që ishte ulur në tokë. Ishim ulur jashtë dhe papritmas dëgjuam të shtëna armësh. Në fillim menduam se ishin fishekzjarre”.

Kështu shprehet një dëshmitar okular i përplasjes me armë që ndodhi mbrëmjen e kaluar në Athinë, ku mbetën të vrarë 3 shqiptarë dhe u plagosën 3 persona të tjerë, mes tyre dy efektivë të policisë greke.

Sipas mediave greke, dy efektivët e policisë të plagosur janë transportuar në Spitalin e Ushtarak ‘401’ të Athinës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Dëshmitarët kanë treguar të tronditur ngjarjen, teksa thonë se janë trembur dhe për jetën e tyre.

“Ndodhi 50 metra larg nesh. Ne pamë një oficer policie i cili po çalonte dhe një tjetër që ishte shtrirë në tokë. Kishim frikë se do të afroheshin nga ne. Disa thonë se ishte grabitur një dyqan dhe teksa po kalonin policët, aksidentalisht u përplasën me grabitësit”, tha një dëshmitar.

Dy shqiptarët e vrarë fillimisht rezultojnë me precedentë penalë në Greqi për çështjes droge dhe ishin arrestuar këtë vit nga policia.

Mediat fqinje thonë se bëhet fjalë për një përplasje të armatosur mes dy familjeve shqiptare lidhur me prishje të pazareve të drogës.