Christophe Galtier është zyrtarisht trajneri i Paris Saint Germain. Pas shkarkimit paraditen e sotme të argjentinasit Maurizio Pochettino, klubi kryeqytetas ka prezantuar edhe teknikun e ri, që do të marrë drejtimin e skuadrës për të nisur menjëherë përgatitjet për sezonin e ardhshëm.
Në konferencën për shtyp, Galtier u shoqërua nga presidenti Al Khelaifi dhe foli për marrëdhëniet e tij me drejtorin sportiv Ocampos, vendimin e Mbappe për të qëndruar dhe skemën që dëshiron të përdorë.
Si ndjeheni në detyrën e trajnerit të PSG-së?
Jam i prekur dhe krenar. Sapo mbërrita në “Parc des Princes”, pashë fjalinë “Këtu është Paris” dhe kuptova menjëherë pritshmëritë. Duhet t’i bëjmë njerëzit të lumtur dhe përderisa e kam pranuar këtë përgjegjësi, do të thotë se jam i aftë t’ia dal. Vetëm është shumë e vështirë, por nëse jemi të gjithë bashkë, atëherë mund të bëjmë shumë mirë. Prania e Lucas Ocampos është padyshim një faktor i rëndësishëm që unë jam këtu.
PSG një klub ndryshe nga të tjerët ku keni punuar…
Kur luan mirë, ke më shumë shanse për të fituar. Këtu do të ketë një qasje tjetër, ndryshe nga klubet e tjera ku kam qenë. PSG ka kontrollin e topit dhe do të ndërtojmë një ekip sulmues, që di të ruajë balancat.
A i keni takuar futbollistët?
Nuk i kam takuar dhe nuk kam folur me asnjë prej tyre, por do t’u përshtatem shumë mirë. E kam shumë të qartë idenë se si duhet të luajmë, pasi dëshiroj të vendosemi shumë lart dhe të kontrollojmë topin. Natyrisht po shikojmë me pozitivitet aplikimin e mbrojtjes me tre, por ajo që ka rëndësi është që të gjithë të luajnë në rolin e tyre të preferuar dhe skuadra të mos e humbë ekuilibrin.
Raportet me Luis Ocampos…
Punojmë bashkë prej shumë vitesh dhe kuptohemi në mënyrë perfekte. Ai gjen dhe blen lojtarët, por unë jap gjithmonë miratimin. Unë i shpjegoj idenë time dhe atë çfarë dua nga një lojtar, ndërsa më pas kam besim të plotë se ai do të sjellë profilin e duhur.
Prejardhja marsejeze…
Unë kam lindur në Marsejë dhe ky është një fakt, por dëshiroj të fitoj dhe ku më mirë sesa te PSG-ja mund ta bëj këtë. Kam lënë mënjanë prejardhjen time, për të stërvitur futbollistë të mëdhenj dhe fituar trofe të rëndësishëm.
A ka vend në skuadrën tuaj për Neymar?
Cili trajner nuk do ta donte Neymar në ekip? Ai është një futbollist i klasit botëror dhe unë kam një ide të qartë se si dua ta përdor. Shpresoj që të qëndrojë me ne.
Ju lumturon fakti që Mbappe qëndroi te PSG?
Si një trajner francez, jam shumë i lumtur që Kylian do të vijojë të luajë në kampionatin tonë dhe akoma më i lumtur që do ta stërvit unë te PSG-ja. E njoh shumë mirë dhe i di pritshmëritë e tij për ekipin. Është shumë i shpejtë dhe i fortë teknikisht, ndaj nëse këto cilësi vihen në shërbim të ekipit, atëherë do të jetë diçka fantastike.
A do të jetë në gjendje PSG-ja të luftojë për Champions këtë sezon?
Nuk mund të flasim për Champions që ditën e parë, pasi nuk kemi nisur ende përgatitjet. Ajo që unë kam në mendje është të ndërtojmë një filozofi të qartë loje, me një skuadër që sulmon vazhdimisht dhe asnjëherë nuk e humb ekuilibrin. Rrugës do të shohim se ku mund të arrijmë, por nuk dua të kemi limite.
E keni zgjedhur portierin e parë?
Do të takoj të dy portierët që në fillim, pasi në filozofinë time ka gjithmonë një numër 1 dhe një tjetër rezervë. Megjithatë kjo nuk do të thotë që portieri i dytë nuk mund të bëhet i parë, në varësi të paraqitjeve në fushë.