Kryesore Presidenti i KE në Shkup: Nëse pranoni propozimin francez, negociatat nisin ditët...

Presidenti i KE në Shkup: Nëse pranoni propozimin francez, negociatat nisin ditët e ardhshme

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin francez, duke premtuar se do të mbrojë identitetin maqedonas, në mënyrë që negociatat për anëtarësim të nisin në ditët e ardhshme. Nëse ngërçi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë zgjidhet, përfiton automatikisht edhe Shqipëria.

“Jam i bindur që është një zgjidhje e ekuilibruar, që është për të mirën tuaj. Nëse thoni po, atëherë konferenca e parë do të organizohet në ditët e ardhshme”, tha Michel në një konferencë për mediat me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Nga ana e tij, Kovaçevski sqaroi se po pret përfundimin e procesit konsultues për ta firmosur planin Macron, që heq pengesat për nisjen e negociatave te anëtarësimit edhe për Shqipërinë.

Michel, e nisi mes protestash vizitën një ditore në Maqedoninë e Veriut. Fillimisht ai u takua me presidentin, Stevo Pendarovski, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në politikë dhe natyrisht integrimin në Bashkimin Europian. Të dy u pajtuan se pranimi i propozimit francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë do të mundësojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Michel dhe Pendarovski diskutuan dhe për shqetësimet e qytetarëve për ruajtjen e identitetit kombëtar, me presidentin maqedonas që kërkoi garanci nga Brukseli për këtë çështje.