Prej disa muajsh, mediat italiane flasin për një krisje në marrëdhënien 14-vjeçare midis presidentit të Lazios, Claudio Lotito, dhe drejtorit sportiv Igli Tare.
Shqiptari, që në Romë ka ndërtuar pjesën më të rëndësishme të karrierës, fillimisht si lojtar dhe më pas si drejtues, prej vitesh ka qenë i padiskutueshëm në të gjitha strategjitë e ekipit që nën drejtimin e tij ka fituar edhe 3 kupa të Italisë dhe dy Superkupa.
Por dje tensioni midis dy personazheve, padyshim me karakter të fortë, degjeneroi në një diskutim me zë të lartë, që tërhoqi edhe vëmendjen e tifozëve të shumtë që ishin mbledhur për eventin e prezantimit të fanellës zyrtare.
“Sherri” midis Lotitos dhe Tares sipas mediave si Gazzetta dello Sport, ka filluar pikërisht pas kësaj ceremonie, në të njohurën Piazza del Popolo.
Molla e sherrit, sipas raportimeve nga përtej Adriatikut, është vendimi i numrin 1 të klubit lacial për të përfshirë Angelo Fabianin në organikë. Ish-drejtori sportiv i Salernitana-s, tashmë ka marrë një rol aktiv në drejtimin e skuadrës së të rinjve, por edhe të “Lazio Women” (femrat).
Ish-sulmuesi i Kombëtares ka edhe një vit kontratë me Lazion, dhe në kushte normale rinovimi do të ishte thjesht formalitet, por ngjarjet e fundit bëjnë të mendohet se fati i tij edhe mund të jetë diku larg Romës.