Bota Policia amerikane jep detajet: Sulmi në Çikago ishte planifikuar prej disa javësh

Policia amerikane jep detajet: Sulmi në Çikago ishte planifikuar prej disa javësh

Policia amerikane deklaroi sot se i dyshuari për ngjarjen e rëndë gjatë paradës së 4 korrikut në Çikago, ku u vranë gjashtë persona, e kishte planifikuar sulmin prej disa javësh.

Autoritetet amerikane thonë se 21-vjeçari Robert Crimo, bleu në mënyrë të ligjshme armën të cilën e përdori ditën e djeshme, shkruan BBC.

Sipas zyrtarëve, ai ka veshur rroba grash në mënyrë që mos të vërehej dhe t’i shpëtonte turmës që po vraponte nga frika pas të shtënave me armë.

Më pas, mendohet se Crimo shkoi në shtëpinë e nënës së tij, nga ku më vonë u largua me automjetin e saj.

Policia e arrestoi të dyshuarin teksa ngiste makinën, ku iu gjet një armë e dyte, e ngjashme me atë të përdorur në sulm.

Sulmi në Highland Park të Çikagos ndodhi vetëm pak muaj pas ngjarjeve të shënuara në shkollën në Uvalde në Teksas apo edhe në New York.

Presidenti Biden është zotuar të luftojë “epideminë e dhunës me armë” që ka përfshirë vendin.