Komiteti Teknik i Ekspertëve ka rekomanduar mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura, për shkak të rritjes së rasteve me COVID kohët e fundit.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë, kryetarja e këtij Komiteti dhe zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli bëri apel edhe për vaksinim.
“Rekomandimi për të mbajtur maskën në ambientet e mbyllura, aty ku nuk mund të ruhet edhe distancimi social, sidomos kjo e vlefshme për personat të cilët janë me sëmundje dhe të moshuar”, tha Rakacolli.
Ajo bëri apel edhe për vaksinimin, duke thënë se mund të kryhet edhe doza e tretë apo e katërt dhe shtoi se kjo është mjeti më efikas i parandalimit të infeksionit.
Me kurbën aktuale të infektimeve, Rakacolli theksoi se nuk është e nevojshme një shtrëngim i masave.
Aktualisht, në të gjithë vendin janë 4,235 qytetarë aktiv me Covid. Në spitalin COVID3 po marrin trajtim 24 pacientë.