Politika Habit analisti: Protestën e ka thirrur Sali Berisha dhe Edi Rama

Habit analisti: Protestën e ka thirrur Sali Berisha dhe Edi Rama

Analisti Lorenc Vangjeli i ftuar në emisionin “Opinion”, ka komentuar mbi protestën e zhvilluar këtë të enjte nga opozita përpara Kryeministrisë.

Ai ka thënë se suksesi i kësaj proteste i ka kaluar pritshmëritë, por habiti me deklaratën e tij kur tha se kjo protestë është thirrur jo vetëm nga Sali Berisha, por edhe nga kryeministri Edi Rama.

I pyetur nga Blendi Fevziu se si e ka thirrur Rama protestën, Vangjeli arsyeton se kryeministri ka nxjerrë qëllimet për të protestuar dhe se ngritja e çmimeve ka qenë një arsye e fortë.

Lorenc Vangjeli: Kjo është një protestë e thirrur nga dy njerëz.

Blendi Fevziu: Kush janë këta dy njerëz?

Lorenc Vangjeli: Sali Berisha dhe armiku i tij Edi Rama.

Blendi Fevziu: I thirrur nga Sali Berisha dhe Edi Rama?

Lorenc Vangjeli: Po. Suksesi i kësaj proteste që biem dakord të gjithë që është mbi pritshmëritë, nuk është e gjitha meritë e Sali Berishës, siç nuk është edhe e gjitha meritë e Edi Ramës.

Blendi Fevziu: Po ç’domethënë e ka thirrur Edi Rama?

Lorenc Vangjeli: Ja ta shpjegoj. Unë them e kanë thirrur të dy. Ekstremet në këtë dynja zakonisht puqen, unë po tentoj të them këtë gjë. Sali Berisha ka fituar betejë pas betejash, gjëra të cilat dukeshin edhe të pamundura. Jo më larg se 14 muaj më parë, por ngjan se sërish ka pak shanse për të fituar luftën. 14 muaj më parë ai ngjante një qenie njerëzore e rrënuar. Në shtator shumë pak besonin që ai mund të kthehej, ishte objekt shakaje, i cinikëve dhe zhgënjeu të gjithë kundërshtarët e tij. Në nëntor e goditën me gaz lotsjellës dhe sot doli e mposhti dhe vapën. Kjo është pjesë e meritës së tij. U ngrit kur askush nuk e priste.

Blendi Fevziu: Po Rama ça roli kishte këtu se më çudite?

Lorenc Vangjeli: Rama nxorri tre pikat, qëllimet e protestës. Njëra prej tyre është ngritja e çmimeve një tjetër prej tyre ka të bëjë me zhbalancën e shpërndarjes së të ardhurave, kjo është e vërtetë, sot shqiptarët paguajnë shumë më shumë te pika e karburantit, paguajnë më shtrenjtë edhe bukën edhe litrin e qumështit, litrin e vajit.