Kryesore Evis Kushi përgenjështron lajmin për mos-shpërblimin e Briken Çaljas

Evis Kushi përgenjështron lajmin për mos-shpërblimin e Briken Çaljas

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka përgënjeshtruar lajmin që po qarkullon në media se qeveria nuk ka shpërblyer ende për titullin kampion bote në peshëngritje, Briken Çaljan.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo shprehet se lajmi është i pavërtetë dhe se Ministria e Arsimit i ka kryer të gjitha procedurat financiare për shpërblimin e të gjithë sportistëve që kanë fituar medalje.

“Po lexoj sot në media një lajm të pavërtetë që gjoja qeveria sorollat kampionin Briken Çalja dhe nuk e ka shpërblyer ende për titullin kampion bote në peshëngritje. Për informim të opinionit publik, po ju publikoj urdhrat e pagesës për shpërblimin e Brikenit bashkë me trajnerin e tij, jo vetëm për kampionatin botëror por edhe atë evropian.

Aktualisht, MAS i ka kryer të gjitha procedurat financiare për shpërblimin e të gjithë sportistëve që kanë fituar medalje, nëpërmjet federatave sportive përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi. Pas kësaj, është detyrim i vetë federatave për të kaluar këto shpërblime të qeverisë në llogarinë personale të sportistëve”, shprehet ministrja.

Ajo u bën thirrje të gjitha federatave që të zbatojnë detyrimet e tyre ndaj sportistëve brenda afateve të caktuara.

Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë pa u ndalur sportistët tanë elitarë dhe zhvillimin e sportit në tërësi.