Politika Rrymat kundërshtare në PS/ Xhafaj dhe Gjiknuri përplasen për drejtësinë

Rrymat kundërshtare në PS/ Xhafaj dhe Gjiknuri përplasen për drejtësinë

Miratimi i rezolutës për Këshillin e Lartë Gjyqësor nxori në pah edhe rrymat e kundërta brenda Partisë Socialiste. Famtir Xhafaj dhe Damian Gjiknuri replikuan hapur në komision mbi mënyrën dhe funksionimit të reformës në drejtësi si edhe për rekomandimet që i duhen dhënë KLGJ-së për vitin e ardhshëm.

“Një projektrezolutë, që do të kthehet në rezolutë nga Kuvendi, për KLGJ, në fundin e muajit korrik, për vitin 2022. Kjo është e gjitha një absurditet që nuk arrij dot ta kuptoj. Tjetër gjë themi në gjykimet politike të caktuara dhe tjetër shprehim në rezolutë. Sepse nëse themi që kemi shqetësim lidhur me disa qëndrime, ose me proporcionalitetin në hetime dhe gjykime nga GJKKO, nuk kemi vend tjetër ku ta artikulojmë dhe ta shkruajmë. Ishte pikërisht kjo rezolutë. Ose kjo i bie që nuk ishte në interes të punës, por thjesht retorikë politike për arsye të tjera”, tha Fatmir Xhafaj.

“Disa nga gjërat që sugjeroi zoti Xhafaj mund të shikohen, ai mund t’i sillte edhe vetë me shkrim, do të ishte më normale. Unë mendimet e mia i them kurdo, por e rëndësishme është që asnjëri të mos niset nga vështirësitë e zbatimit. Ne kemi zgjedhur një model, i cili ka vështirësi, është shumë më i mirë sesa situata e mëparshme, dhe këtu jemi dëshmitarë të gjithë. Nga ana tjetër, patjetër që ka gjëra për të përmirësuar”, iu përgjigj Gjiknuri.

Këto përplasje u komentuan edhe nga opozita e cila kërkoi shtyrjen e kësaj pike të rendit pas zhvillimit të seancës dëgjimore mbi hartën e re gjyqësore.

“Është më shumë një betejë supremacisë individuale, kush thotë fjalë të bukura dhe kush kundërshton njëri-tjetrin. Unë propozova diçka konkrete, të shtyjmë rezolutën për ta plotësuar me çështjet që do të dalin nesër nga dëgjesa. T’i japim Kuvendit një rezolutë serioze dhe meqë e keni kaq shumë seriozisht këtë punë, ta shtyjmë dhe të nxjerrim një punë të mirë. Të tjerat janë çështjet e konflikteve të brendshme të PS që i sillni në Komisonin e Ligjeve”, tha Dhurata Çupi.

“Lërini tani konfliktet e brendshme apo të jashtme, shihni hallin tuaj, te partia juaj, se ne me njëri-tjetrin e kemi të qartë që, edhe pse mund të kemi mendime të kundërta, e respektojmë njëri-tjetrin, nuk e ndajmë partinë në dysh”, iu përgjigj kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka.