Kryesore Meta: Inceneratorët, afera e shekullit, nuk është zbuluar as maja e ajsbergut

Meta: Inceneratorët, afera e shekullit, nuk është zbuluar as maja e ajsbergut

Presidenti Ilir Meta e quajti “afera e shekullit” çështjen e inceneratorëve, duke komentuar edhe publikimet e fundit për përfshirjen e personave pensionistë apo të moshuar në listën e pronarëve të kompanive që kanë kryer veprime financiare me firmat që kanë në pronësi të inceneratorëve.

“Ndërkohë që shteti thotë se nuk ka para për të blerë helikopterë dhe lë zjarret të pushtojnë edhe ishullin e vetëm që kemi, shohim çdo ditë që publikohen fakte të reja, sesi pleq që marrin nga 300 euro pension rezultojnë pronarë kompanish që kanë kryer transaksione deri në 30 milionë euro”, tha Meta në një prononcim për mediat.

“Në sytë e të gjithë opinionit publik shohim një situatë kaq të rëndë të korrupsionit, kaq flagrante, e cila është edhe më poshtëruese për çdo qytetar të këtij vendi, kur shohim se në këtë kohë krize, kur duhet të rritet mbështetja për qytetarët në nevojë, nga shëndeti e deri te përballimi i minimumit jetik, shohim që askush nuk mban përgjegjësi, shohim që prej vitesh bëhen veprime të tilla, nëpër banka. Kush mban përgjegjësi për këto skandale, që vetëm thellohen. Si mund të vazhdojë afera e inceneratorëve, kur dihet që këto para shkojnë për krimin. Është një situatë tepër dramatike dhe ftoj Kuvendin të merret më seriozisht me këtë çështje sepse është e qartë që ende nuk ka filluar maja e ajsbergut të aferës së shekullit”.

Meta ngre dyshime se si mundet që sistemet bankare të lejojnë transaksione me firma të njerëzve që nuk jetojnë më, teksa përmendi edhe mos veprimin e institucioneve, si QKB-ja apo Krimi Ekonomik.

“Shohim që prej vitesh bëhen veprime të tilla dhe këto veprime bëhen në banka. Çfarë është ky sistem bankar që pranon firma të tilla, firma të njerëzve që nuk jetojnë, firma të njerëzve që janë në azile. Çfarë është QKB-ja që pranon të bëjë veprime të tilla, çfarë janë këto noterë që bëjnë këto veprime, ku është Krimi Ekonomik, ku është institucioni i pastrimit të parave, kush mban përgjegjësi për këto skandale që jo vetëm nuk mbarojnë, por vetëm thellohen”, deklaroi Meta.

Këtë martë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) urdhëroi pezullimin e kompanive të përfshira në aferën e inceneratorit të Tiranës, pas denoncimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.