Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, është mbledhur këtë të mërkurë për të shqyrtuar propozimin për ndryshimet në Kodin Rrugor.
Taulant Balla, si përfaqësues i deputetëve të mazhorancës që kanë dërguar në Kuvend ndryshimet është shprehur se ato i shërbejnë qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi dhe se janë marrë nga një vend si Italia.
Taulant Balla: Unë e di që shumë të rinj e të reja kur ta dëgjojnë këtë diskutim do thonë po na vejnë edhe një kufizim tjetër. Patjetër që do ju vendosim një kufizim sepse këto shifrat këtu janë të rënda. Shifrat e aksidenteve rrugore tek moshat e reja janë të rënda dhe ne po vendosim një kufizim që nuk e kemi marrë nga Hëna, por nga vendi tjetër, vetëm një det na ndan, nga Italia që në kushtet e rritjes së aksidenteve tek të rinjtë kanë vendosur këtë kufizim. Të mësohen me rrugën, të mësohen me autostradën, me superstradën. Respektimi i këtyre kufizimeve i bën mirë shoqërisë sonë sepse sa më pak aksidente aq më mirë është. Këto ndryshime i shërbejnë vetëm qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi. I shërbejnë çdo familje shqiptare që pas këtyre ndryshimeve do të jetë më e sigurt që djali apo vajza e tyre i ri kanë disa kufizime që nuk e tejkalojnë shpejtësinë dhe nuk kthehen në burim aksidenti.
Një nga ndryshimet e rëndësishme të propozuara ka të bëjë me detyrimin e kufizimit të shpejtësisë për shoferët e rinj. Kështu, drejtuesit e rinj, deri në tre vite nga marrja e patentës nuk do mund të qarkullojnë në autostrada me më shumë se 80 kilometër në orë, ndonëse në disa akse shpejtësia maksimale është deri në 110 km/h.
Me shpejtësi më të reduktuar, kjo kategori do të lëvizë edhe në rrugët interurbane. Sipas propozimit maksimumi që mund të lëvizet në këto akse është 70 km/h, nga 90 që është limiti i lejuar.
Një ndryshim tjetër është që të gjithë drejtuesit e automjeteve deri në 70 vjeç që duan të pajisen me një leje të re drejtimi apo duan të rinovojnë lejen ekzistuese do të ta marrin atë me një afat vlefshmërie prej 15 vitesh.