Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se ishte ndjerë shumë mirë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, sipas tij e kishte shpërfillur propozimin e kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e një baze të aleancës në portin e ri të Durrësit në Porto Romano.
“Jam këtu para jush për të përshëndetur përzemërsisht, sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe për ta garantuar se Partia Demokratike ka qenë është dhe mbetet fuqimisht një forcë proatlantike e vërtetë. Ajo mbetet e vendosur për një bashkëpunim sa më të ngushtë me Aleancën dhe garantoj edhe njëherë me këtë rast se është e gatshme t’i afrojë nesër në pushtet Aleancës, të gjithë lehtësirat aeroportuale dhe të tjera që asaj i duhen në territorin e Shqipërisë për përmbushjen e misionit të saj të madh.
Unë e përshëndes gjithashtu për faktin se nuk e përtypi mashtrimin e paskrupullt të Ramës që për të mbuluar megaaferën e tmerrshme me Elemanin të përvetësimit të 1000 metrave katrorë në Durrës kërkon ta mbulojë me angazhimin e NATO në Porto Romano. Ky propozim i Ramës është një megaskandal që kërkon të përdorë reputacionin e jashtëzakonshëm që ka Aleanca për qëllime korruptive”, tha Berisha për gazetarët pasi u largua nga Kuvendi.
“Pata kënaqësi të konstatoj se në konferencën e shtypit ndonëse Rama nisi recitimin e tij me portin e madhërishëm që do të ndërtohej por Sekretari i përgjithshëm i NATO bëri sikur nuk kishte dëgjuar asnjë fjalë nga bashkëbiseduesi por foli për rolin e Shqipëri Ballkanin dhe unë e përshëndes. Nga ana tjetër është guxim i madh të dalësh e të shëtisësh kur ke damkën e një megakorruptori e një persekutori të fjalës së lirë, në një kohë kur bën gjithçka për të lartë paratë e krimit”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha kritikoi sistemin e drejtësisë, për faktin se, sipas tij, nuk ka vepruar si duhet ndaj korrupsionit të pretenduar të Kryeministrit Rama, por edhe paraardhësit të tij në krye të Partisë Demokratike.
“Pyesni pak përfaqësuesit e SPAK, KLD e KLGJ e me radhë t’ju thonë pse nuk hetojnë sarajet e Edi Ramës me gjatësi themelesh 57 metra, me oborr 5 mijë metra, të deklaruar se e ka blerë me 2 euro metri në një kohë kur shitet me 20 euro dhe 40 euro në atë zonë. Pyesni pak pse nuk hetojnë pallatin e familjes Basha, që nuk kanë asnjë faturë tatimore, doganore, bankare, ndërtimore, por shpërblejnë ndërtuesin vetëm para tre javësh me 11 milionë euro! me 99% të fondit limit dhe të vetëm në garë”, tha Berisha në Kuvend.