Aleati i afërt i Putin dhe kryetari i dhomës së ulët të parlamentit rus kërcënoi javën e shkuar se Rusia do të pushtojë Alaskën.
Në fakt, Vyacheslav Volodin tha se Rusia do të “merrte mbrapsht” Alaskën – e njëjta gjuhë e përdorur nga Moska para pushtimit të Ukrainës.
Ndërkohë, ditën e djeshme, një reklamë u shfaqë në qytetin Krasnoyarsk në Siberi që lexonte: ‘Alaska është e jona!’ – gjë që shkaktoi reagime të shumta në rrjete sociale.
Komentuesit akuzuan qeverinë ruse se ky mesazh ishte një tjetër kërcenim për luftë por burime pranë bashkisë së Krasnoyarsk thanë se kjo reklamë është thjesht një ‘iniciativë private’ dhe s’ka të bëjë aspak me politikat qeveritare.
Por çfarë e lidh Rusinë me Alaskën?
Eksploruesit rusë ishin të parët që e zbuluan Alaskën në vitet 1600, dhe Perandoria Ruse ishte e para që e kolonizoi këtë territor.
Por në vitin 1867, qeveria ruse ia shiti Alaskën SHBA-së për një shumë prej $7.2 milionë dollarësh – e konvertuar në €142 milionë euro ditët e sotshme, të paguara në ar.
Vitet e fundit, Rusia ka shpenzuar miliarda dollarë për të fuqizuar prezencën e saj ushtarake në arktik.
Në deklaratën e Volodin ditën e mërkurë thuhej gjithashtu se:
“Amerikanë, mos harroni që ekziston një copë toke me emrin Alaskë. Nëse ju mendoni që mund të menaxhoni resurset tona përtej oqeanit, mos harroni që edhe ne na takon diçka që mund ta marri mbrapsht kur të duam”, – tha ai duke iu referuar aseteve të oligarkëve rusë që janë ngrirë ose bllokuar, madje shtetet perëndimore kanë propozuar që ato të shiten si përgjigje ndaj agresionit në Ukrainë.
Ndërkohë, në vitin 2014, presidenti rus Vladimir Putin është pyetur rreth rimarrjes së territorit të Alaskës nga gazetarja Faina Ivanovna e cila shtoi se populli rus do të ishte vërtetë i lumtur nëse do të dëshmonin diçka të tillë – pyetje të cilës Putin iu përgjigj duke thënë se, “Për çfarë ju duhet Alaska?”.
Më pas ai pranoi faktin se Rusia ia kishte shitur Alaskën SHBA-së por se sipas Putin, kjo nuk ia kishte vlejtur pasi ishte shitur “shumë lirë”.
Por në fund të ditës tha ai, njerëzit nuk duhet ta vrasin shumë mendjen për Alaskën.
Pas kësaj, moderatori i famshëm rus Kirill Kleymenov bëri shaka me Putin se njerëzit i referoheshin Alaskës me emrin “Krimea e Akullit”.
Ndërkohë, këto zëra nxitën edhe reagimin e Guvernatorit të Alaskës, Mike Dunleavy, i cili bëri një postim në Twitter duke thënë se “nëse politikanët rusë besojnë se mund ta marrin mbrapsht Alaskën kam vetëm diçka për t’iu thënë: Paçi fat!”.