Akademiku Artan Fuga ka bojkotuar pjesëmarrjen në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë pjesë në një dëgjesë publike me deputetë atje, mbi reformën territoriale dhe administrative. Ai ishte i ftuar nga Partia Demokratike në këto dëgjesa dhe në një status në Facebook shpjegon qëndrimin e tij.
Duke e konsideruar një e-mail paçavure, ftesën për të qenë i pranishëm në dëgjesë publike, Fuga refuzon pjesëmarrjen me arsyetimin se “dëgjesat publike janë kthyer në teknika manipulimi të ndyra për të gënjyer me propagandë opinionin publik sikur gjoja kanë dëgjuar dhe marrë pjesë ekspertë në reforma”, ndërsa ftoi të gjithë të bojkotojnë këto dëgjesa.
Sipas tij Kuvendi nuk është legjitim, moralisht, politikisht, ligjërisht dhe gjëja më e mirë që mund të bëjë ai, është të shpërndahet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi vendi është në krizë të rëndë politike.
Postimi i Artan Fugës:
Unë e bojkotoj Kuvendin e Shqipërisë!
Nga një email paçavure, pa asnjë etikë dhe profesionalizëm, më ftojnë të shkoj në një komision të Kuvendit të Shqipërisë, për të marrë pjesë në një dëgjesë publike me deputetë atje, mbi reformën territoriale dhe administrative!
Gjoja si ekspert!
Unë u përgjigjem publikisht : Refuzoj të marr pjesë; Unë e bojkotoj atë!
Sepse dëgjesat publike janë kthyer në teknika manipulimi të ndyra për të gënjyer me propagandë opinionin publik sikur gjoja kanë dëgjuar dhe marrë pjesë ekspertë në reforma!
Unë ftoj për bojkot të gjithë ata që thërriten në këto paçavure dëgjesash! Pas përvojave që kam pasur, e kam marrë këtë vendim jo vetëm se të bëjnë budalla, por edhe të fyejnë, të përdorin, as ta venë veshin, madje edhe të dhunojnë psikologjikisht!
Kam kuptuar se të shkosh atje do të thotë ose të bësh qokë që ta kërkojnë, ose të jesh i shitur, ose të mos kuptosh se çfarë po bën!
Ftesa e tyre nuk shoqërohet me asnjë tematikë, me asnjë material paraprak të dërguar, me asnjë informacion mbi të drejtat e atyre si unë, që i kanë caktuar si figurantë!
Unë nuk vij, sepse bojkotoj!
Bojkotoj Kuvendin e Shqipërisë për një mijë arsye!
Mbi të gjitha, sepse mendoj që gjëja më e mirë që mund të bëjë ai Kuvend, është të shpërndahet! Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pikërisht sepse ai Kuvend nuk është legjitim, moralisht, politikisht, ligjërisht!
Keni vënë re ju atje edhe opozitarët: Gjithçka thonë, betohen e stërbetohen, por askush nga opozitarët nuk ka bythë të thotë: Duhet të kalojmë në zgjedhje të parakohshme! Vendi është në krizë politike të rëndë!
Shumë të rëndë!