Në një deklaratë për mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është ndalur tek konferenca e parë ndërqeveritare që do të mbahet ditën e nesërme ku aspirohet të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sali Berisha: Këto ditë, do të mbahet Konferenca e Parë e qeverisë shqiptare me Komisionin Europian, akt që shënon hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, hapje që ndodh në një kohë të dytë, pas konferencës së parë. Me këtë rast, në emër të PD-së, e cila ka qenë dhe mbetet lokomotivë e integrimit, shpreh mirënjohjen më të thellë për KE dhe vendet anëtare, për vendimin miqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe aspiratave të tyre për integrimin e plotë të vendit në BE si e ardhmja më e shkëlqyer e tyre. Gjithashtu siguroj BE-në se PD sot në opozitë do të mbështesë dhe nesër në pushtet do të miratojë çdo akt, vendim dhe reformë të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit në BE.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama që në përgjigje të vendimit të BE-së, të mos guxojë të provokojë partnerët e Shqipërisë, por të deklarojë se do të heqë dorë përfundimisht nga ligji i amnistisë fiskale.
Sali Berisha: Jam këtu për t’i kërkuar Ramës që në përgjigje të këtij vendimi fisnik të vendeve anëtare të BE-së, të mos guxojë të provokojë partnerët tanë, por të deklarojë se ai heq dorë përfundimisht nga ligji i amnistisë fiskale kundër të cilit është shprehur haptas Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE qoftë dhe me karrigen bosh, janë shprehur kundër dhe partnerët tanë jashtë BE, janë shprehur kundër dhe dhomat e bizneseve të huaja dhe ato shqiptare.