Shqipëria ka çelur sot negociatat e anëtarësimit me BE. Të shumtë kanë qenë figurat e huaja që kanë uruar shqiptarët sot për këtë hap të rëndësishëm drejt rrugës europiane.
Një urim erdhi nga ish-ambasadori i Shqipërisë në BE, Luigi Soreca.
“Sot është një moment historik për Shqipërinë dhe për BE! Më në fund ka ardhur koha që Shqipëria të ecë përpara në rrugën e saj drejt bërjes një Shtet Anëtar i BE-së. Shumë të lumtur për të gjithë njerëzit në Shqipëri dhe miqtë që e shohin Europën si destinacionin e tyre natyror. E ardhmja është së bashku!” shkroi ai.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi në një postim në Twitter ka shkruar lidhur me hapjen e negociatave të vendit tonë dhe Maqedonisë së Veriut me BE.
Oliver Varhelyi ka shprehur përkushtimin nga ana e tyre për të sjellë gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në BE.
‘Ne po hapim negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në ndryshimin e mjedisit gjeopolitik, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor. Ne jemi të përkushtuar më shumë se kurrë për të sjellë të gjithë rajonin në BE. Sot ne po bëjmë një hap të madh drejt këtij angazhimi,” shkroi Varhelyi.
CDU-CSU në Gjermani gjithashtu kanë përshëndetur gjithashtu celjen e negociatave me Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Gunther Krichbaum zëdhënësi për politikën europiane tha:
“Marrëveshja midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për një plan pune për fillimin e negociatave të anëtaresimit të Maqedonisë së Veriut në BE jep arsye për shpresë.
Bashkimi Europian tani duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar që negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të mund të fillojnë pa vonesë.
Pres që qeveria bullgare të mos vendosë pengesa të tjera në rrugën e këtyre negociatave dhe përfundimisht ti japë fund lojerave të tyre të motivuara thjesht nga politika e brendshme, të cilat bien ndesh me frymën europiane.
Por Maqedonisë së Veriut i kërkohet gjithashtu si Shqipërisë të vazhdojnë përpjekjet.”