Do të jetë drejtësia (shteti ligjor) kapitulli i parë që do të hapet për Shqipërinë dhe i fundit që do të mbyllet, përpara aderimit me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Këtë e ka bërë me dije Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilët janë ndalur tek reforma në drejtësi si aspekt kyç i negociatave.
Hetimi i gjyqtarëve të shkarkuar nga procesi i vettingut, do të hetohet plotësisht për korrupsion, sepse kjo është një kërkesë e Bashkimit Evropian.
Kështu ka thënë kryeministri Rama mbi kërkesat e BE-së, të cilat i ka emërtuar si “të natyrshme”.
“Shqiptarët e kanë mbështetur masivisht reformën në drejtësi”, theksoi kreu i Qeverisë. “Përmes vetingut, më pas, është parashikuar të shkohet edhe në ndëshkime”.
Ndër të tjera, ai shtoi se tanimë e ka mësuar se si unioni funksionon dhe se si Komisioni Evropian funksionon.
Në thelb të tyre, sipas Ramës, është memoria dhe kjo e fundit, nuk shuhet në rastin e strukturave të BE-së.
“Besoj se tanimë e kam mësuar si funksionon BE-ja, KE-ja dhe se si çdo gjë e shkruar është pjesë e memories së Komisionit dhe çfarë thuhet sot nuk harrohet nesër, por përsëritet derisa të bëhet. Kështu ndodh”, nënvizoi Rama.
Teksa, komisioneri Varhelyi, e mbështeti këtë fjalë të kryeministrit, duke shtuar se unioni “nuk do të sprapset në kërkesat e veta, sepse gjërat që duhen zgjidhur, duhen zgjidhur”.