Kryesore Pse europianët janë të fiksuar pas luanëve?

Pse europianët janë të fiksuar pas luanëve?

Nëse ecni përgjatë monumenteve historike në Europë, gjithandej do të shihni figura dhe statuja të luanëve, ndërsa luani në ditët e sotme jeton vetëm në kontinentin afrikan. Megjithatë, kur të shihni se pothuajse çdo i dyti shtet evropian mban luanin si stemë zyrtare, me siguri do të pyesni veten pse Europa është e fiksuar pas luanit si simbol?

Përgjigja daton që në kohët parahistorike. Figura e parë e një luani me trup njeriu është gjetur 35 mijë vjet më parë në territorin e Gjermanisë së sotme. Por, si u bë simboli i luanit një nga më të përdorurit në kontinentin e vjetër që nga kohërat parahistorike deri në ditët e sotme?

A kishte luanë në Europë?

Luani modern konsiderohet një kafshë ekskluzivisht afrikane dhe, përveç në kopshtet mbretërore të Indisë, nuk jeton natyrshëm në asnjë vend tjetër në planet. Por, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Në fund të epokës së akullnajave, luani i shpellës u përhap në kontinentin europian, i cili ishte më i madh dhe më i rëndë se luani modern, por nuk kishte mane (lesh rreth fytyrës).

Duke u zhvilluar për t’i bërë ballë dimrave të ashpër dhe të ftohtë, kjo specie e luanit euroaziatik shtrihej nga brigjet e Iberisë, përmes Ballkanit, Kaukazit, Rusisë, deri në Alaskë.

Por, rreth 14 mijë vjet më parë, ajo u zhduk pothuajse plotësisht si një specie. Kjo është për shkak të ngrohjes së klimës dhe zgjerimit të njerëzve në të gjithë Europën. Supozohet se ata e gjuanin atë deri në zhdukje, si krijesat e tjera të mëdha të Epokës së Akullnajave, duke përfshirë edhe mamutët.

Nga kjo specie lindi luani modern i quajtur “pantera leo”, me dy nëngrupe – euroaziatike dhe afrikane që kishin disa dallime, veçanërisht në shprehjen e leshit rreth fytyrës dhe strukturës.

Por, edhe këto krijesa nuk patën fatin të mbijetonin për shumë gjatë në këtë pjesë të botës. Individët e mbetur besohet se janë përhapur në jug të Europës. Në pjesën e Peloponez, luanët u zhdukën plotësisht gjatë shekullit të 10-të para erës së re. Në territorin e Maqedonisë së Lashtë, luani i fundit ishte në shekullin I, në Bullgari dhe në zonën e Thrakisë u gjet deri në shekullin e IV, dhe mbijetoi më të gjatë në Kaukaz.

Më shumë “fat” ka pasur në Azi dhe vendet e Lindjes së Mesme, para se gjithash për shkak të klimës së ngrohtë dhe vendeve ku nuk janë përqëndruar njerëzit.

Epopeja e luanëve europianë

Grekët e lashtë ishin të parët që përdorën luanët për qëllime politike, të ndërthurura në mitologji dhe art. Heroi mitologjik Herkuli mundi luanin gjigant Nemean që simbolizonte guximin, forcën dhe dominimin.

Por, përdorimi i vërtetë në jetën publike i luanëve është për shkak të Perandorisë Romake. Si sundimtarë të Mesdheut me ambicie për zgjerim territorial, sundimtarët romakë donin të projektonin fuqinë, përsosmërinë dhe fuqinë e jashtëzakonshme ushtarake.

Luanët bëhen simboli kryesor i shumë institucioneve publike, statujat e luanëve vendosen para hyrjeve të pallateve për të frymëzuar admirim dhe respekt.

Kur organizoheshin luftime me gladiatorët përdoreshin luanë nga territori i Ballkanit. Luanët që i gjuanin në Afrikë përdoreshin si “karrem”, respektivisht ata luftonin me kafshë të tjera si qentë dhe arinjtë deri në vdekje.

Gjaku i kaltër dhe zemra e luanit

Kthimi i antikitetit në Europë gjatë mesjetës nënkuptonte gjithashtu imitimin e qytetërimeve të mëparshme dhe marrjen pjesërisht të kulturës, simboleve dhe miteve për sundimtarët dhe kurorën.

Shumë familje fisnike në të gjithë Europën e kanë luanin si simbolin e tyre mbrojtës. Luani përdoret gjithashtu si një emblemë në flamujt ushtarakë, i cili supozohej të sillte guxim shtesë për trupat në beteja.

Sot, rreth 17 vende europiane kanë stema shtetërore në të cilat përfaqësohen luanët dhe mund të gjendet edhe në shumë simbole të tjera heraldike të lëvizjeve revolucionare dhe politike. Gjithashtu, shumë kompani përdorin luanin si një markë tregtare, e cila supozohet të përfaqësojë suksesin, besnikërinë dhe pasurinë.

Luani dhe shqiponja janë ndër simbolet e kafshëve më të përdorura në krishterim dhe në varësi të periudhave, rolit të kishave dhe fazave politike ato kishin kuptime të ndryshme. Shpesh luani paraqitej si simbol i shenjtë, me modesti dhe bindje ndaj Zotit, por ndonjëherë edhe si mëkatar ose i penduar.

Megjithatë, nuk ka një studim gjithëpërfshirës shkencor mbi ndikimin e simboleve të luanit në të ashtuquajturat “epoka të errëta” në të gjithë Evropën dhe hulumtimet e deritanishme janë parciale. Ajo që mund të konkludohet është se luani në këtë epokë nuk ishte një kërcënim ekzistencial pasi ai ishte zhdukur prej kohësh si specie dhe më vonë u adoptua si simbol i familjeve mbretërore me “bekimin e Zotit”. /TRT BALKAN