Shkrimtari i njohur spanjoll, Javier Cercas, ka folur sot në një konferencë për shtyp në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, mbi letërsinë, Europën, të shkuarën dhe rolin e shkrimtarit sot në botë. Cercas ishte i ftuar me rastin e botimit të librit të tij në shqip “Monarku i hijeve” nën përkthimin e Bashkim Shehut. “Jemi të nderuar që kemi sot këtu një personalitet të kulturës dhe letërsisë europiane Javier Cercas. Letërsia është gjithnjë një hapësirë e rëndësishme komunikimi mes popujve, kulturave, ndaj ardhja e një autori që çdo ditë e më tepër është në diskursin publik botëror për qasjen dhe debatin mbi të shkuarën, Luftën, një temë aktuale sot, është një moment reflektimi mbi rolin që duhet të ketë letërsia në gjithë këtë tablo”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL. Për Cercas, fjalët janë si dinamiti. Është detyra e shkrimtarit t’u jap atyre formën e duhur, të përgjegjshme për njerëzimin.
Por shkrimtari i përkthyer në më shumë se 30 gjuhë, dhe më i ekranizuari nga librat e tij e nisi bisedën me një njohje që kishte mbi letërsinë shqipe, duke thënë se: “Kam lexuar Pallatin e Ëndrrave të Ismail Kadaresë në spanjisht. Është një libër thelbësor i letërsisë europiane. Mendoja se Kadare e kishte marrë çmimin Nobel, pasi ai e meriton plotësisht atë”.
Për njohjen e mëtejshme me letërsinë shqipe ai tha se ka mundur të lexojë një libër të Bashkim Shehut, dhe sapo mbërriti në Tiranë ka dëgjuar për Petro Markon. “Bashkim Shehu më ka folur për Petro Markon. Babai i tij dhe Petro kanë qenë miq të ngushtë”.
Cercas është një autor i cili kërkon të evokojë të shkuarën në veprën e tij. Libri i tij Monarku i hijeve flet për Luftën civile spanjolle.
Në qendër është jeta e shkurtër e një djaloshi i cili në vitin 1936, në fillim të luftës civile, u përfshi në ushtrinë e gjeneral Frankos dhe dy vjet më vonë u vra në betejën e Ebros. Ky djalosh, që kishte luftuar për një kauzë të padrejtë dhe kishte vdekur në anën e gabuar të historisë, ishte xhaxhai i nënës së Javier Cercas-it, i cili sot ndien detyrimin të kuptojë arsyet e këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që të mund ta ndajë të vërtetën nga gënjeshtra. Rezultat është ky libër që ecën me hapa hipnotike, plot me aksion, emocion dhe ironi, i cili na rikthen në temat thelbësore të rrëfimtarisë së Cercas-it: natyra poliedrike dhe misterioze e heroit, ambiguiteti i pashmangshëm i çdo rikonstruktimi historik, vështirësia e të marrit të përgjegjësisë të së shkuarës sate, mbi të gjitha kur ajo nuk është komode.
“Monarku i hijeve”, si hetim personal dhe kolektiv, si një roman për luftën thellësisht kundër luftës, u përgjigjet në mënyrë të papritur dhe iluminuese pyetjeve të ngritura nga autori mbi pesëmbëdhjetë vjet më parë me “Ushtarë të Salaminës”.
Për Cercas, Europa sot është në luftë. Kjo është një luftë evropiane. Rusia theu paqen më të madhe që ka pasur njerëzimi pas Luftës së Dytë Botërore. Asnjëherë më parë nuk ka pasur një pauzë kaq të gjatë nga një luftë në tjetrën. Por këtë luftë, sipas Cercas do ta fitojë Europa. Ajo mbetet e vetmja utopi ku duhet të besojmë të gjithë. Ai e quajti hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në si një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, ku ai si një evropianist beson se duhet të jetë vetëm BE.