Politika Berisha i përgjigjet Ramës për rezolutën: Vota ime ishte pro

Berisha i përgjigjet Ramës për rezolutën: Vota ime ishte pro

Kryetari demokrat, Sali Berisha, iu përgjigj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se Berisha nuk votoi rezolutën për raportin e Dick Marty.

“Për një arsye pune nuk isha, por deklarova votën “PO” në Parlament. Thashë që do miratojmë këtë rezolutë. Kjo është kryesorja për pozicionin që unë kam. Ishte e vendosur që ne ta votonim rezolutën. Obligimet e tjera nuk më lejuan të isha në Parlament në kohën kur u votua. Por, vota ime ishte pro. Unë e kam denoncuar raportin e Dick Marty në aulën e Kombeve të Bashkuara. E kam denoncuar në Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës. E para se nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe këtë nuk e ka thënë as Millosheviçi. Ata do e përdornin këtë si argumentin kryesor në gjyq”, tha Berisha.

“Së dyti, dokumentin ku Vladimir Vukçeviç thotë se raporti është i yni. Këto mjaftonin. Por nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë Edi Ramën. Nuk u votua raporti në Këshillin e Europës. U votua rezoluta. Askush nuk mund të thotë se shkulja e organeve për transplant nuk duhet të hetohet,” shtoi kreu demokrat.

Sot, kryeministri Edi Rama, me anë të një postimi në Twitter, u shpreh se mosvotimi nga ana e Sali Berishës i “rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës”.

“Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA-ja)i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës! FLM të tjerëve! Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike,që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë,Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme“, shkroi Rama në rrjetin social.