Në lidhje me akuzën e dytë të Mbretërisë së Bashkuar, atë të korrupsionit dhe pasurimit të Berishës, ku përmendet ish-këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, kreu i PD-së thotë se nuk është në dijeni se ai ka qenë ndonjëherë objekt padish për aktivitet kriminal, në Mbretërinë e Bashkuar ku ai është qytetar, apo në ndonjë vend tjetër.
“Së dyti, në lidhje me biznesmenin Damir Fazlliç. Nuk kam pasur kurrë dijeni, as sot nuk di që ai të ketë qenë ndonjëherë objekt padish për aktivitet kriminal, në MB ku ai është qytetar, apo në ndonjë vend tjetër. Ai ka qenë dhe është një investitor, që ka sjellë kapital në Shqipëri nëpërmjet bankave dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar, siç kanë dëshmuar verifikimet e organeve zyrtare të fushës. Prokuroria e Ina Ramës, për mendimin tim për motive politike, çka unë e denoncova, ngriti dhe zhvilloi hetime ndaj tij në përfundim të të cilave nuk provoi dot asnjë shkelje të z. Fazlliç. Dhe ju rikujtoj se, ajo për të cilën e hetonin. ishin jo tendera, prokurime të drejtpërdrejta apo para publike, por blerje e një toke private, me fonde gjithashtu private”.
Berisha thekson se Fazlliç nuk ka përfituar kurrë asnjë qindarkë nga ai apo qeveria e tij e asaj kohe, teksa sjell në vëmendje hetimin e 14 viteve më parë ndaj biznesmenit.
“Damir Fazlliç nuk ka përfituar kurrë, qoftë dhe një qindarkë të vetme nga unë apo qeveria ime. Ai ka vazhduar biznesin dhe investimet gjatë qeverisë Rama, dhe nëse do kish patur pengim të hetimit ndaj tij gjatë qeverisë sime, ka pasur 10 vjet kohë që të hetonte Prokuroria gjatë qeverisë Rama, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur.
Pra, autoritetet e MB të vetmin rast konkret që citojnë është i 14 viteve më parë, i cili u vendos në hetim pa asnjë fakt, për transferta të rregullta bankare, për të cilat pas hetimit, Prokuroria nuk ngriti dot padi, sepse Fazliç kishte kryer çdo gjë sipas ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, dhe kishte si faj të vetëm se ai, me Kompaninë BGR, kishte këshilluar mua në fushatën elektorale të vitit 2005, nga e cila ish-komunistët humbën. E trishtueshme është që sot, pas 14 viteve, kjo çështje përdoret si treguesi i vetëm në të cilin mbështesin vendimin e tyre autoritetet britanike.
Më lejoni t’u them se, vite pasi hetimi i Prokurorisë së Ina Ramës ndaj Damir Fazllic, me të cilin nuk provoi dot asnjë shkelje, unë kam vizituar Britaninë e Madhe dhe kam takuar kryeministri e këtij vendi. Madje kam marrë edhe përgëzime për reformat e ndërmarra dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Përveç kësaj, në vitet 2005-2013, me agjencitë e zbatimit të ligjit të këtij vendi, si Soca etj., kemi patur bashkëpunim të shkëlqyer në luftën kundër krimit të organizuar, përfshi këtu edhe operacione të fshehta, të cilat janë vlerësuar shumë prej tyre”.
Sipas Berishës “çdo vendim i bazuar në shpifje, mbi korrupsionin, është mbështetje reale për korrupsionin dhe krimin”.