Këto janë pamjet që vijnë mbrëmjen e kësaj të premteje nga Spitali i Traumës në Tiranë. Forca të shumta policore kanë blinduar ndërtesën, teksa mjekët po i vijnë në ndihmë 46-vjeçarit Ylli Ibrahimi.
Ai mbeti i plagosur rëndë në atentatin e ndodhur rreth orës 21:00 në qendër të Milotit teksa udhëtonte me makinë së bashku me 27-vjeçarin Klisman Preçi. Ky i fundit ndërroi jetë pak kohë pas ngjarjes, pasi nuk arriti t’i shpëtonte plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Milotit përpara një sheshpushimi pallati. Dy persona të armatosur dhe të maskuar iu afruan dhe qëlluan në drejtim të Ibrahimit dhe Preçit, e më pas u larguan me shpejtësi.
Viktima dhe i plagosuri udhëtonin me një automjet fuoristradë Toyota Land Cruiser të blinduar.
Disa minuta pas ngjarjes, në Borizanë të Krujës u gjet një automjet tip Audi i djegur. Dyshohet se ky mjet është përdorur nga atentatorët e ngjarjes së Milotit.
Viktima dhe i plagosuri rezultojnë persona me precedentë penalë, megjithatë për momentin si shkaqet ashtu edhe autorët e kësaj ngjarjeje mbeten të panjohura.