Bajram Begaj është betuar në Parlament si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Ai deklaroi se mbështet qeverinë në punën e saj, por nuk justifikohet asnjë dështim, sikundër për opozitën tha se e respekton, por bashkëpunimi duhet të jetë parësor dhe jo konflikti.
“Shqipëria jonë e dashur ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme evropiane. Shqipëria evropiane sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndërr më të bukur historike të popullit shqiptar, është testamenti i ardhur prej historisë dhe bekimi i së ardhmes. Unë e njoh, e mbështes dhe respektoj punën e qeverisë, por nuk justifikohet asnjë dështim. Unë e mbështes dhe e respektoj opozitën, por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit. Periudha që po jetojmë është një nga më të vështirat. Pas pandemisë agresioni rus, një sulm i paprovokuar i Rusisë ndaj popullit të Ukrainës, e ka futur botën në një tjetër krizë“.
Presidenti Bajram Begaj u angazhua se do t’i shërbejë Kushtetutës dhe do të respektojë çdo parim të saj dhe theksoi se nuk do të qëndrojë neutral përpara askujt që do të vendosë interesat personale mbi kombin.
“U betova sot se do t’i shërbej Kushtetutës dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të Kushtetutës këtë mision do ta kryejë mbi palët por nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që bie ndesh mbi këtë parim, nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit që vendos interesat politike mbi atë të Kombit”.
Në fund të fjalimit të tij, Bajram Begaj u shpreh se do të mbështesë gjithmonë bashkëpunimin mes forcave politike për të ndërtuar ura lidhëse.
“Do të këmbëngul dhe mbështes përherë për bashkëpunimin mes forcave politike, ne jemi shërbyes të qytetarëve dhe konflikti nuk është asnjëherë një shërbyes i mirë. Kemi nevojë të ridimensionojmë besimin publik. Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e të shkuarës dhe të tashmes, të ndërtojmë bashkarisht ura lidhëse midisi shtetit dhe shtetasve”.