Kryesore Meta: Referendumi, e vetmja rrugë për të vendosur nën kontroll këtë klasë...

Meta: Referendumi, e vetmja rrugë për të vendosur nën kontroll këtë klasë politike

Një ditë pasi ish-Presidenti Ilir Meta la detyrën e kreut të shtetit u rikthye në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të marrë kartën e anëtarësisë. “Një ditë e re, një agim i ri dhe një rrugë e re”, tha fillimisht ai gjatë një prononcimi për gazetarët.

Meta u shpreh se LSI ishte forca politike që shpëtoi integrimin europian të Shqipërisë. Dhe sa i përket integrimit, ai foli me rezerva për shkarkimin e Kryenegociatorit Zef Mazi, shkarkim që u njoftua ditën e sotme nga Kryeministri Edi Rama.

“Ju e dini ata (Mali i Zi) i kanë çelur negociatat që në vitin 2012, Serbia që në vitin 2014 ne në pamundësi për t’i shtyrë edhe më tej nga regjimi kleptokratik këtu në Tiranë na i hapën tani dhe ne shkarkuam Kryenegociatorin pa nisur akoma negociatat duke treguar gjithë seriozitetin dhe përkushtimin e atyre që urrejnë integrimin europian, urrejnë zgjedhjet, urrejnë konkurrencën, urrejnë meritokracinë, urrejnë pluralizmin, urrejnë median e lirë dhe të pavarur”.

Megjithatë, Ilir Meta vuri theksin tek referendumi që sipas tij do të sjellë një transformim totalisht të sistemit në vend. Sipas Metës, referendumi është ai që do të vendosë nën kontroll këtë klasë politike, të cilën e konsideron të papërgjegjshme, por edhe do të përshpejtojë procesin e integrimit.

“Unë jam këtu për të sjellë mesazhin e popullit të 2 Marsit pjesë e së cilit ka qenë edhe LSI në ato momente dhe për t’u bashkuar të gjithë së bashku në triumfin e mesazhit të 2 Marsit. Triumf i mesazhit të 2 Marsit është sovraniteti në Shqipëri i përket popullit. Popullit i ka ardhur momenti ta ushtrojë atë në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

“Tani ka ardhur momenti për një transformim totalisht të sistemit në vend dhe ka ardhur momenti që populli i jashtëzakonshëm i 2 Marsit të nisë rrugën e tij, të shumëfishohet ditë pas dite dhe sa më shpejt të triumfojë referendumi si e vetmja rrugë dhe mënyrë që do të vendosë nën kontroll këtë klasë politike të papërgjegjshme, por jo vetëm atë. Jam i sigurt që kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt dhe jam i bindur që referendumi që i ka munguar popullit të Shqipërisë që nga viti ‘98, referendumi do të jetë shpata e Demokleut me gjithë kleptokratët, uzurpatorët dhe tradhtarët, Esat Pashët e rinj të këtij vendi që venë në diskutim interesin e vendit dhe i ngulin thika pas shpine në mënyrë sistematike edhe shtetësisë së Kosovës dhe interesave të shqiptarëve kudo ku ata janë”, u shpreh Meta.

Akuza pati për Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, që sipas Metës, futi në grackë bashkë me Ramën, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“LSI ka bërë çdo gjë për të përshpejtuar integrimin europian të vendit, por ky nuk ishte vullneti jo vetëm i lidershipit të PS, por për fat të keq edhe ish-lidershipit të kaluar të PD që në mënyrë të qëllimtë programuan djegien e mandateve, shkatërrimin e reformës në drejtësi dhe jo vetëm kaq, por këtë nuk mund ta bënin pa futur në grackë edhe LSI e cila për fat të keq doli jashtë gjithë funksionit të saj duke u bërë një shtojcë e pavetëdijshme e një shtojce të regjimit kleptokratik që ishte PD e Bashës që çdo gjë e kishte të mirëkoordinuar dhe mirëprogramuar me Edi Ramën”.

Pas u pyet nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën, Ilir Meta tha se do të bashkëpunojë “me çdo shqiptar të ndershëm, patriot dhe demokratë që do të triumfojë sovraniteti i nëpërkëmbur i shqiptarëve”.