Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur sot se “Kryeministri Edi Rama për të larë duart përsa i përket aferës së inceneratorëve, ka shkarkuar Arben Ahmetajn nga posti i zëvendëskryeministrit.”
Sali Berisha: Edi Rama, për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdha në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar Arben Ahmetajn. Me këtë rast, unë duke e konsideruar Ahmetajn një nga eksponentët kryesorë të mafies së djegësve, shtoj se kreu i kësaj afere është një dhe vetëm një. Ky është Edvin Rama. Në aferën e inceneratorëve ai ka firmosur siç ka pohuar vetë, në kundërshtim me ligjin. Edi Rama ka firmosur në mënyrën më të paligjshme kontratën në shkelje të barazisë së ligjit për tenderat. Ai ka firmosur kontratën për një kompani me zero eksperiencë në fushën e plehrave.
Ai vërtet nuk ka firmosur në kontratën e djegësit të Tiranës, por ka firmosur në kontratën e projektit të djegësit të Tiranës. Ai u shkarkua vetëm me një qëllim: të shpëtojë lëkurën e Edi Ramës.
Berisha ka thënë se Kryeministri Edi Rama e ka shkarkuar nga posti i zëvendëskryeministrit Arben Ahmetajn që ai të arratiset, teksa ka shtuar se opozita nuk do e lejojë.
Sali Berisha: Arben Ahmetaj, në vitin 2005, është arratisur disa vite në Rumani, ku kërkonte azil. Tani ai e liron nga detyra vetëm e vetëm që ai të largohet. Me këtë rast, unë i them Edi Ramës, se edhe në ata satelitët që ke porositur, të shkojë, do bëhet përgjegjës para shqiptarëve për këtë aferë dhe aferat e tij. Rama është kryeministri më hajdut i 110 viteve të fundit në Shqipëri, kryeministri më hajdut i rajonit dhe Europës. Mund t’i bësh presion dhe t’ia mbyllësh gojën SPAK-ut të partisë, por shqiptarët dhe popullin opozitar, nuk do mundesh kurrë ta trysnish pa të dhënë vendin që meriton si një hajdut i papërmbajtur. E njëjta gjë vlen për Arben Ahmetajn, shko edhe prapa diellit. Por nuk do kesh shpëtim më. Kjo aferë për popullin opozitar është për jetë a vdekje.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ka deklaruar se kryeministri Rama është përgjegjësi numër 1 i vjedhjes në aferën e inceneratorëve.
Sali Berisha: Edi Rama është përgjegjësi numri 1 i vjedhjes montruoze të shqiptarëve në aferën e djegësave sepse për djegësin e Elbasanit dhe të Fierit, Ministria e Mjedisit që u përdor për ekzekutimin e kësaj vjedhje, kishte në buxhetin e saj 0 lekë. Paratë e djegësave u morën nga Fondi i Këshillit të Ministrave për Urgjencën, fond që në përputhje me ligjin e vendit përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrale dhe fatkeqësive të mëdha natyrore. Edi Rama, këtë fond e përdori për të përvetësuar bashkë me zyrtarët e tij dhjetra e dhjetra milionë euro. Me urdhër të tij, ai nga fondi kaloi buxhetin e Ministrisë së Mjedisit për vjedhjet me inceneratorët. Edi Rama është përgjegjës direkt sepse ai firmosi kontratën me procedurë të mbyllur në një kohë kur enti zyrtar i prokurimeve publike, ajo që duhet Agjencia e Prokurimeve Publike me shkresë kishte denoncuar më parë si të paligjshme për prokurim procedurën me negociata të mbyllura. Kurrë një kryeministër përveçse atij që vendos të vjedhë para me valixhe nuk mund të firmoste në një procedurë të tillë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka quajtur Kryeministrin Edi Ramën si “koka e Meduzës e aferës së inceneratorëve”.
Sali Berisha: Kurrë një kryeministër, përveçse atij që vendos të vjedhë para me valixhe, nuk firmos një procedurë të tillë. Edi Rama është koka e Meduzës e kësaj afere të tmerrshme. Në rastin e inceneratorit të Tiranës, në shkelje të plotë, ai firmos bonus 8 pikë avantazh për kompaninë që u përdor për të gjitha vjedhjet. Edi Rama ka pranuar se ka firmosur në mënyrë të paligjshme, por ka mohuar se njihte Gugalen, Zoton dhe Mërtirin, në një kohë kur në ligjeratën, apologjinë që i bënte vjedhjes së tij për inceneratorin e Elbasanit, ata ishin më të rëndësishmit në sallë. Pra, ky është Edi Rama në raport me vjedhjen. Duhet të informoj qytetarët se vjedhja në inceneratorin e Tiranës shkon, sipas KLSH, në 283 milionë euro.
Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se i dyti pas Edi Ramës është siç e quan ai, “Don Agaçio Dhuratmadhi”. Kreu i PD-së ka argumentuar se ai ka “ka shkelur nga Kodi Penal, nenet e shpërdorimit të detyrës, e shkeljes së barazisë në tendera, e fshehjes së të ardhurave, e përfitimit të paligjshëm, korrupsionit pasiv, pastrimit të produkteve të veprave penale, moskallëzim krimi, etj”.
Sali Berisha: Arben Ahmetaj është strumbullar i vjedhjes monstruoze. Por para se të shkojmë te ai, dua të ndalem te i dyti pas Edi Ramës. Ai është mafiozi, që unë e kam quajtur Don Agaçio Dhuratmadhi. Ky mafioz ka shkelur nga Kodi Penal, nenet e shpërdorimit të detyrës, e shkeljes së barazisë në tendera, e fshehjes së të ardhurave, e përfitimit të paligjshëm, korrupsionit pasiv, pastrimit të produkteve të veprave penale, moskallëzim krimi, etj. Ai, në mënyrë më të papërgjegjshme, është promotor i aplikimit të procedurës me negociata të mbyllura. Po rikujtoj këtu se, detyra e tij më kryesore është një: të shikojë përputhjen me aktet ligjore të vendimeve të qeverisë. Ai ka një departament specialistësh, të sprovuar juridikë dhe ka një departament të luftës kundër korrupsionit. Por, interesi i pasurimit të tij personal, e shtyn këtë mafioz të shkruajë se, të mashtrojë se autoriteti kontraktues ka shpallur procedurën. Autoriteti kontraktues nuk ka shpallur asnjë procedurë, por e ka dhënë me negociata të mbyllura si në shpellat e mafias. Këtu fillon afera e tmerrshme mbi 450 milionë euro të vjedhura.