Dy rrokaqiej futuristikë, gati 500 metra të lartë, pritet të ndërtohen në shkretëtirën e Detit të Kuq, në Arabinë Saudite. Ndërtesat supozohet të shkojnë paralel me njëra-tjetrën në një gjatësi prej 170 kilometrash dhe do të strehojnë deri në pesë milionë njerëz. Qiellgërvishtësit do të jenë më të lartë se Empire State Building dhe e gjithë struktura e tyre është planifikuar të jetë e mbushur me pasqyra, për të reflektuar bukuritë natyrore përreth.
Ndërtesat do të kenë kopshte vertikale, ku do të kultivohen dhe produkte të ndryshme si fruta dhe perime. Gjithashtu, pritet të ndërtohet një stadium sportiv, një tren me shpejtësi të lartë që do të kalojë nëntokë, si dhe një marinë ku banorët mund të ankorojnë jahtet e tyre.
Projekti futuristik “Mirror Line” mendohet të kushtojë rreth 1 trilionë dollarë dhe nuk ka një datë të caktuar përfundimi, por ekspertët mendojnë se do të zgjasë deri në 50 vjet, ndonëse Princi i kurorës Mohammed bin Salman – ideatori i këtij projekti – ka këmbëngulur që të përfundojë deri në vitin 2030.
Veç tyre, princi planifikon të ndërtojë edhe një qytet ekologjik në shkretëtirë, të quajtur Neom, ku ndërtesat do të bëhen epiqendra e tyre. Megjithatë, këto plane mund dhe të mos realizohen pasi po hasin shumë pengesa nga zyrtarët që po përpiqen t’i ndalojnë.
Neom është përballur me kritika të ashpra për të drejtat e njeriut. Në fazat fillestare të ndërtimit, fisi Al-Howeitat u largua me forcë nga zona, aq sa çoi edhe në një përleshje me armë ku një banor u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.