Igli Tare është padyshim një nga shqiptarët më të suksesshëm në botën e sportit dhe natyrisht niveli më i lartë i drejtuesit në arenën europiane. Vlonjati që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të Kombëtares sot që mbush 49 vjeç ka marrë dedikime të veçanta, por më pikanti ishte nga portali “Calcio Totale”, që kishte rikthyer edhe një herë një copëz nga intervista që pat dhënë kohë më parë për “Gazzetta dello Sport”.
Ja çfarë thoshte Igli për karrierën e tij:
“E lashë Shqipërinë duke ikur në këmbë dhe e kalova kufirin pa dokumente. Dëshira ime ishte që të shkoja në Gjermani. Nuk më vjen turp për asgjë, sepse pas kësaj aventure ishte një ëndërr që unë duhej ta kurorëzoja dhe jam shumë i lumtur për rrugëtimin që kam bërë.
Kur mbërrita në Gjermani iu propozova disa skuadrave që më jepnin mundësinë të bëja një provë. Ludvigshafen më ofroi mundësinë. Oferta ishte: “Paradite do të punosh si kopshtar, ndërsa pasdite do të vish të luash futboll”.
Pranova menjëherë.
Një ditë një shoku im më goditi padashje me motosharrë dhe më hoqi pothuajse 3 milimetra kockë.
Në jetë unë kam pasur shumë fat.
Vetëm një president i çmendur si Lotito mendoj se do të më kishte bërë drejtor sportiv. Kishte parë gjëra që as unë nuk i kisha vënë re tek vetja ime.
Disa muaj më vonë Lotito më shpjegoi se përse më kishte zgjedhur mua drejtor: “Flet gjashtë gjuhë të huaja, njeh futbollin perëndimor dhe je i distancuar nga ambienti roman e ligësitë e futbollit italian”.
Si i zbuloj unë talentet? Nuk kam vëzhgues: nuk më pëlqen të punoj me shumë vetë. Kam një bashkëpunëtor për të dhënat e tyre, një që përgatit videot për lojtarët dhe një për të analizuar kundërshtarët. Përveç kësaj, marr informacion të vazhdueshëm nga miqtë e shumtë që kam nëpër botë.
A kam marrë kërcënime? Po, shumë! Disa edhe me vdekje… Letra, telefonata, mesazhe. Edhe pse kam ndërruar deri tani tyre herë numrin e telefonit, ai sërish del në rrjetet sociale dhe unë e di se kush e bën këtë gjë. Gjatë këtyre 10 viteve diçka tek unë ka vdekur, por unë kështu jam, nuk dorëzohem kurrë dhe as nuk mburrem kurrë.
Tani sfida ime nuk është që unë t’i ndaloj tifozët që të mos kontestojnë Lotiton, sepse ajo është thjesht pasojë. Sfida ime e vërtetë është që ta rris këtë klub. Jo për të ndryshuar sistemin e ultrasve, por për të ecur përpara dhe për të bërë gjëra të mëdha së bashku me ultrasit”.
Dikur një lojtar i zoti.
Më pas një drejtues i shkëlqyer.
Gëzuar ditëlindjen Igli Tare.
Burimi: Gazzetta dello Sport