Si sot 100 vite më parë, më 28 Korrik 1922, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën marrëdhëniet diplomatike.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, me rastin e kësaj dite të shënuar thotë se 100 vite më parë u ndez një pishtar që qëndroi ndezur edhe në ditët më të vështira të komunizmit. Ndërsa sot, shprehet se është më i ndritshëm se kurrë.
“Atë ditë u ndez një pishtar. Edhe në ditët e errëta të diktaturës, shqiptarët trima e mbajtën zjarrin ndezur. Sot, ai pishtar digjet më i ndritshëm se kurrë. Le të na ndriçojë rrugën përpara, së bashku, për 100 vitet e ardhshme”, shkruan Kim.
Më tej ajo thotë se mezi pret që t’i bashkohet festës që pritet të vijojë me disa aktivitete të ndryshme e duke kulmuar me një koncert në Sheshin Skënderbej në mbrëmje.
Në lidhje me këtë ditë të shënuar më herët reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ftoi qytetarët t’i bashkohen festës në Sheshin Skënderbej që do të organizohet në mbrëmje. Ndërkohë gjatë paradites pritet që të organizohet takimi “100 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri – SHBA”.