Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, u shpreh gjatë takimit me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHA se më 28 Korrik të vitit 1922 u ndez një pishtar i shenjtë që u përcoll ndër breza. Një pishtar, që sipas Kim, ngroh miqësinë mes dy popujve dhe ndriçon rrugën përpara.
Kim tha se Shqipëria mbetet e palëkundur nga mbështetja dhe aspiratat e kombit shqiptar për sovranitet, demokraci, begati dhe drejtësi.
“Si sot një shekull më parë disa vite pasi presidenti Wilson deklaroi në Konferencën e Parisit se Shqipëria duhet të jetë një komb i pavarur dhe sovran, komisionari amerikan në Shqipëri pati nderin t’i përcjellë kryeministrit njohjen zyrtare të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Duke njohur njëri-tjetrin si kombe në 28 Korrik 1922, Shqipëria dhe Amerika ndezën një pishtar të shenjtë që është përcjellë në breza. Gjatë ditëve më të errëta të komunizmit ai pishtar i shenjtë u ruajt nga shqiptarët dhe madje disa paguan çmimin më të lartë. Ishte një pishtar që u fsheh, por nuk u lejua kurrë të shuhej. Ne që jemi këtu sot, kemi nderin e madh ta trashëgojmë atë pishtar dhe ta mbajmë atë lart së bashku, duke bërë që ai të ngrohë miqësinë mes popullit amerikan dhe shqiptar dhe të ndriçojë rrugën përpara në shtegun tonë të përbashkët si miq dhe aleatë të vërtetë. Ndërsa shënojmë një shekull marrëdhëniesh diplomatike, e shfrytëzojmë këtë rast për të nderuar të gjithë shqiptarët dhe amerikanët që erdhën para nesh dhe kontribuuan për partneritetin SHBA-Shqipëri, veçanërisht ata shqiptarë guximtarë që paguan çmimin e lirisë dhe të miqësisë duke dhënë jetën e tyre. Shumë gjëra kanë ndryshuar në 100 vite, por ja çfarë mbetet e pandryshuar dhe e vërtetë: Shtetet e Bashkuara kurrë nuk është lëkundur nga besimi në një Shqipëri të pavarur dhe sovrane!
Ne kurrë nuk jemi lëkundur nga të besuarit në ju! Ne kurrë nuk kemi lejuar që të lëkundemi në besimin që kemi në miqësinë tonë. Ne ishim krenarë që ju mbështetëm kur ju këputët vargonjtë e diktaturës komuniste në ’91, krenarë që mbështetëm aplikimin tuaj për tu anëtarësuar në NATO në vitin 2009, krenarë që ndoqëm udhëheqjen tuaj si kryesues në detyrë të OSBE-s në vitin 2020, krenarë që prisnim si partnerë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Janar të këtij viti dhe sërish krenar të festojmë me ju këtë muaj, ndërsa ju filluat zyrtarisht negociatat për të zënë vendin tuaj të merituar si një komb i begatë dhe demokratik brenda familjes evropiane! Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë dhe nuk do të lëkundemi kurrë nga mbështetja dhe aspirata e kombit shqiptar për sovranitet, demokraci, begati dhe drejtësi”, u shpreh Kim.