Pasi mori fjalën në takimin e 100-vjetorit të marrëdhënieve me SHBA, kryeministri Edi Rama e çeli me një rrëfim nga Fan Noli, lutjen e tij drejtuar presidentit Uillson për të mbrojtur Shqipërinë. Teksa vlerësoi aspektin historik të marrëdhënieve me vendin, i cilësoi si një rrugëtim i vështirë, aspak i ngjashëm me vendet e tjera, për shkak të ndarjes me dhunë nga bota dhe SHBA që erdhi nga diktatura komuniste.
Veç këtyre, kryeministri përmendi dokumentin e partneritetit strategjik me SHBA, për të cilin tha se vetëm pak ditë më parë, Uashingtoni ka dërguar një propozim për ta thelluar më tej. Duke e cilësuar si diçka domethënëse, Rama tha se kjo do shërbejë që rajoni të ndryshojë, një projekt që favorizohet edhe nga Ballkani i Hapur. Për këtë të fundit, ai ritheksoi mbështetjen dhe dakordësinë që ka marrë nga SHBA, teksa shtoi se e kaluara do të mbesë vetëm një mësim e jo kërcënim.
“Ishte Dita e Pavarësisë kur i thashë Presidentit Uillson ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë dhe përgjigja e tij ishte unë do kem një zë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”, citoi Rama Nolin.
“Shumë e nderuar ambasadorja Kim, zoti president me kërkesën për mirëkuptim që iu drejtova më parë ambasadores sepse sot është më shumë se asnjëherë tjetër dita e saj dhe e SHBA. Zonja kryetare e Kuvendit, ministre, të nderuar miq. Çka lexova ishin prej kujtimeve të Fan Nolit i cili në 4 Korrik të vitit 1918 mori nga presidenti Uillson se do ta mbronte Shqipërinë në Konferencën e Paqes dhe faktikisht ai është edhe momenti kur mori jetë kjo marrëdhënie kaq speciale.
Nuk besoj se ndodh në ndonjë vend tjetër që e gjithë qeveria dhe gjithë paria e vendit të mblidhen me ambasadorin e SHBA dhe të kremtojnë ditën kur kanë firmosur marrëdhëniet diplomatike, por kjo nuk e bën aspak të pakuptueshme apo qesharake këtë që ndodh këtu në vendin tonë sepse ndryshe nga të gjitha vendet e tjera, pa asnjë përjashtim, në këtë marrëdhënie ka hyrë në mes një histori e pangjashme me asgjë tjetër që ka përcaktuar edhe këtë nivel e thellësi të marrëdhënies sonë me SHBA. Ne sot jemi këtu për 100- vjetorin sepse pikërisht si sot 100 vjet më parë në 28 Korrik 1922 në Ministrinë e Jashtme mbërriti dokumenti zyrtar që njoftonte qeverinë shqiptare se SHBA e njohin qeverinë shqiptare dhe se Maxwell Blake emërtohet ambasadori i parë në Shqipëri.
Por në fakt nuk është një 100-vjetor që vjen pas një miqësie të lumtur, është një 100-vjetor që vjen pas një historie që siç thashë është përcaktuese në këtë marrëdhënie sot, historia e ndarjes me dhunë, me zjarr dhe me hekur e Shqipërisë dhe e shqiptarëve nga bota dhe e shkëputjes totale të çdo lidhjeje me SHBA, madje e vendosjes së SHBA në shënjestrën e përditshme të diktaturës komuniste. Në njëfarë mënyre, Enver Hoxha është njeriu që ka punuar më shumë se të tërë për këtë ditë që ne jemi sot këtu dhe dashurinë pa kushte të shqiptarëve ndaj SHBA. Ka punuar thuajse gjysmë shekulli pro bono për ta kthyer Shqipërinë e shqiptarët në dashnorët më të paepur të SHBA. Të gjitha ato që regjimi komunist bëri për t’i larguar në ekstrem shqiptarët prej ShBA u përkthye në kalimin e shqiptarëve në ekstremin tjetër. Dhe është një ekstrem që i bën mirë Shqipërisë në këtë fazë të historisë të saj sepse Shqipëria është një vend i vogël, që është në nevojë të madhe për t’u zhvilluar e forcuar, që e ka të domosdoshme një aleat të madh dhe aleat më të madh e të fortë se SHBA, as Shqipëria dhe askush nuk mund të gjejë dot.
Për të ardhur sot në këtë ditë ku Shqipëria ishte ndryshe pasi u rivunë marrëdhëniet dhe në këtë ndryshim ka padiskutim një rol të veçantë kjo marrëdhënie dhe ka një kontribut të veçantë kjo miqësi. Nëse do e parafytyronim për një moment të vetëm rrugëtimin e këtyre 30 viteve pa SHBA, edhe pse mund të kishim lirinë dhe mund t’i kishim hapur vetes rrugën për të ndërtuar demokracinë, e marrim vetë me mend se në ç’fazë do të ishte Shqipëria sot. Do ishte gjithçka tjetër, por jo një vend ku po zhvillohet një reformë e thellë në drejtësi, gjithçka tjetër, por jo një vend ku vazhdon përpjekja e përditshme për tu ndarë nga e shkuara. Gjithçka tjetër, por jo një vend dhe një popull i mbrojtur nga vetë xhagajdurët e tij që kanë qenë historikisht arsyeja kryesore pse shqiptarët nuk kanë mundur të nxjerrin në pah gjithë potencialin e tyre.
Sot janë të panumërta arsyet pse, bazuar në historinë e këtyre 30 viteve, kjo është një marrëveshje e pazëvendësueshme strategjike dhe ne duhet ta durojmë me buzëqeshje, madje dhe me kënaqësi protagonizmin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri. Është shumë e thjeshtë. SHBA në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë ku pa zërin e SHBA në atë vit ku Fan Noli iu lut përulësisht presidentit Uillson, Shqipëria mbase nuk do ekzistonte. Pa SHBA, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as e KS, por më shumë se kaq, Shqipëria pa SHBA nuk do ishte të përballej me të keqen dhe të shkuarën, e cila vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, e cila vazhdon të rishfaqet para nesh në forma nga më të ndryshmet, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi të drejtë për të gjithë deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojnë se i ka tretur e kaluara, por që prapë, papritur e pa kujtuar na dalin përpara.
E mira është që në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme anti-amerikane apo anti-europiane dhe edhe kur ka mllef apo ndjenjë hakmarrjeje, jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA, siç është ndjenja e mllefit ndaj reformës në drejtësi, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën, madje deri në pikën sa ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikanë. Ky është aspekti komik i historisë së kësaj marrëdhënieje, por nga ana tjetër është edhe shumë domethënës për faktin s’ka dot këtu një burrë që t’ia thotë SHBA në sy atë që realisht mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi apo kur i vjen tmerr të dalë nga shtëpia se i shikojnë damkën në lule të ballit. Gjithmonë, të gjithë jemi për SHBA, disa janë për marrëdhëniet me këto shtete të SHBA, disa të tjerë duan marrëdhëniet me ato SHBA se janë pasardhës të Linkolnit apo Ruzveltit dhe kanë përfaqësuesit e tyre sot që e kanë ulur shumë nivelin.
Në fund dua të them se është vërtet nder dhe privilegj që ne kemi arritur të nënshkruajmë një marrëveshje të partneritetit strategjik me SHBA dhe së fundmi, pak ditë më parë kemi marrë nga Uashingtoni propozimin për ta thelluar dokumentin e partneritetit strategjik. Është diçka jashtëzakonisht domethënëse që flet për një angazhim strategjik dhe thelbësor të SHBA me Shqipërinë, por jo vetëm me Shqipërinë, përmes Shqipërisë edhe me rajonin. Shqipëria është baza politike e SHBA në këtë rajon, është epiqendra e veprimtarisë së SHBA në të gjitha planet, është fiks gjëja që Enver Hoxha luftoi 50 vjet që mos të ndodhte dhe shkoi e ndodhi në komplet ekstremin tjetër të asaj që ai u përpoq të pengonte.
Ne jemi jashtëzakonisht të privilegjuar dhe unë jam shumë besimplotë se falë kësaj marrëdhënieje do ta ndryshojmë rajonin njëherë e përgjithmonë. Natyrisht do të vazhdojmë të përballemi me forca që duan ta mbrojnë edhe Ballkanin, edhe Kosovën nga çartja e SHBA, por ne do ta ndryshojmë rajonin dhe me Ballkanin e Hapur që është një projekt 100% i dakordësuar dhe 100% i mbështetur pa asnjë rezervë nga SHBA, ne do të bëjmë të mundur që e shkuara, vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, është e vërtetë, të mos jetë më kurrë kërcënim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijeje e mësimesh se si histori nuk duhet të përsëritet”.