Ish-presidenti Ilir Meta tha sot se Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për shkeljet sa i përket dokumentit që dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë për politikanin në dosjen e Sigurimit të Shtetit.
Meta tha se është i pastër dhe e di mirë kush është përfshirë në këtë çështje.
“Autoriteti i Dosjeve duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë shkelje të rëndë të ligjeve që ka bërë dhe në atë shkresë të turpshme dërguar Kuvendit pa asnjë fakt. Do mbajnë përgjegjësi individuale personat e përfshirë. E di mirë kush janë përfshirë.
E kishte shumë të lehtë nëse kishte shqetësim apo indicie serioze për këtë çështje. Ilir Meta kur ka kandiduar për President, ka firmosur një kërkesë për tu verifikuar dhe ka bërë të qartë që nuk ka qenë pjesëtar, bashkëpunëtor apo i favorizuar i Sigurimit të Shtetit”, u shpreh Meta në një konferencë për gazetarët.
Sipas tij, e gjitha po bëhet për shkak të krijimit të një force të re politike, ndërsa shtoi para gazetarëve se “është 10 hapa para të gjithëve”.
“E di shumë mirë burimin e kësaj intrige dhe interesin për të manipuluar opinionin publik dhe për të bërë gjithë këtë rrëmujë mediatike sepse ka lindur një forcë e re politike. Tani nuk ka më opozitë që e shet ndeshjen 5 vjet para. Tani ka opozitë të vërtetë. Kjo opozitë e vërtetë këtë regjim të kalbur do ta rrëzojë përdhe shumë shpejt”.