Aktualitet Krifca: 30 mijë lekë subvencion fermerëve që kultivojnë mbi 1 hektar grurë

Krifca: 30 mijë lekë subvencion fermerëve që kultivojnë mbi 1 hektar grurë

Ministria e Bujqësisë ka miratuar këtë të premte një vendim të rëndësishëm, i mirëpritur nga fermerët shqiptarë.

“Ka të bëjë me rritjen e masës së financimit të skemës kombëtare për vitin 2022. Kemi miratuar sot një fond 1.2 miliard lekë që i shtohet buxhetit të skemës kombëtare të këtij viti duke e çuar buxhetin nga 3.7 miliardë lekë në 4.9 mld Lekë. Është buxheti më i madh ndonjëherë i vënë në dispozicion. E shtymë dhe më tej këtë gamë sepse duam t’i vijmë në ndihmë dhe në mbështetje të gjithë kërkesës së fermerëve për uljen e kostove të prodhimit”, tha Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca.

Krifca është shprehur se kemi pasur një sezon të mbarë të prodhimit të grurit. “Gati historik”, tha ajo. Ajo njoftoi se fermerët që prodhojnë mbi 1 hektar grurë do të mbështeten me 30 mijë lekë për hektarë.

“Hambaret janë mbushur plot. Duke parë edhe fenomenet në botë, duke parë edhe ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit, për të rritur pavarësinë tonë ushqimore në aspektin e prodhimit të grurit kemi menduar që të fusim një masë të posaçme ku për fermerët që prodhojnë mbi 1 hektarë grurë, do të kenë mundësi që të marrin mbështetje 30 mijë lekë për hektarë. Grurin e mbështesim dhe me kostot e naftës. Dhe tek nafta kemi çuar një buxhet prej 500 milionë lekë të reja”, u shpreh Krifca.