Një reagim tjetër nga politika vjen për ngjarjen në plazhin e Himarës. Ish-presidenti Ilir Meta ka shprehur tronditjen për aksidentin tragjik dhe revoltimin ndaj situatës. Ai ka kërkuar menjëherë hetim dhe ndëshkim të ashpër për Arjan Tasen, i cili mbante gradën Komisar në Policinë e Shtetit.
“Thellësisht i tronditur nga ngjarja tragjike në plazhin e Himarës, ku zyrtari i lartë i Policisë së Elbasanit A.T i mori sot jetën një vajze të mitur 7-vjeçare, e cila kishte ardhur me familjen për pushime në Shqipëri.
Duke iu shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve për humbjen e vogëlushes së tyre të shtrenjtë, dënoj me forcën më të madhe situatën katastrofike të sigurisë publike në plazhe, në pikun e sezonit turistik, fatkeqësisht me pasoja kaq tragjike të përsëritura.
Hetim i menjëhershëm i thelluar dhe ndëshkim të ashpër për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e Policisë së Shtetit!
Mjaft arrogancës dhe papërgjegjshmërisë në Policinë e Shtetit!”
Ky aksident është rasti i tretë i këtij lloji në vetëm pak javë dhe i pari që shënon një humbje jete.