Bota “Uashingtoni do ta paguajë”, Kina reagon për vizitën e Pelosit në Tajvan

“Uashingtoni do ta paguajë”, Kina reagon për vizitën e Pelosit në Tajvan

Kina ka reaguar ashpër pas mbërritjes së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi këtë të martë në Tajvan.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme kineze tha se vizita e Pelosit cënon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.

“Kjo është një shkelje serioze e parimit të Kinës dhe dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA. Ajo ka një ndikim të rëndë në themelin politik të marrëdhënieve Kinë-SHBA dhe cënon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës”, thuhet në deklaratë.

Vizita e Pelosit në Tajvan, e cila nuk mbështetet nga Shtëpia e Bardhë, është e para nga një zyrtar i lartë amerikan në dekada.

Kina ka paralajmëruar vazhdimisht kundër vizitës dhe të martën tha se SHBA do të “paguajë çmimin”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Hua Chunying theksoi se Kina kishte qenë në komunikim me SHBA-në për ndjeshmërinë e vizitës.

“Pala amerikane do të mbajë përgjegjësinë dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, u shpreh ajo.

Ditën e sotme, Kina dërgoi avionë luftarakë deri në vijën ndarëse informale midis kontinentit kinez dhe Tajvanit.