Gazetari Blendi Fevziu e ka cilësuar mungesë të shtetit dhe drejtësisë ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në Himarë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Fevziu tha se as njerëzit e thjeshtë dhe as policia nuk e njeh aspak ligjin për mjetet lundruese.
Sipas tij, drejtësia lidhur me këto raste të përsëritura nuk funksionon.
“Çfarë ndodhi dje? Në momentin e parë që sheh një jet ski ti telefonon policinë, por ku është personi që plagosi dy vetë në Jalë e të tjerë. Problemi është se drejtësia nuk funksionon. Kam folur me policë që bllokojnë mjete motorike dhe ua liron gjykata dhe janë në shkelje flagrante të ligjit. Oficeri i policisë ka hyrë në një zonë pa gogla, pra mund të thotë nuk kisha sinjalistikë. Problemi është se nuk ka më asnjë metër katror plazh i lirë ku mund të zhvillohen këto aktivitet, janë të zëna të gjithë me shezlonë”, tha gazetari.
Ngjarja e rëndë ndodhi pas mesditës së të martës në plazhin e Potamit ku një fëmijë e mitur u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një skaf i cili drejtohej nga shtetasi Arjan Tase.