Nga Aleksandër Çipa
I nderuari dhe i dhembshuri Bledar Avdia ngushëllime!
Unë nuk ju njoh dhe ju nuk më njihni. Nuk ju kam takuar dhe nuk më keni takuar. Tashmë jemi takuar së bashku në një dhimbje, por jo në mënyrë të barabartë. Dhimbja juaj është e papeshueshme dhe dhimbja ime është e zakonshme, por edhe ajo e papeshueshme. Pasi, dhimbjet nuk kanë njësi matëse dhe nuk kanë peshore. Dhimbjet kanë vetëm rëndesë, në shpirt.
I dashur Bledar, sot për sot, ju jeni shqiptari më i prekur, prindi më zemërshpuar, ju jeni patrioti im më i pandihmueshëm dhe për këtë, kam një dhimbje që nuk e them dot me fjalë.
Ju jeni një prind që keni humbur gjënë më të shtrenjtë të jetës, dritën më dritë, të shpirtit dhe të familjes tënde, vajzën. Kjo është e pangushëllueshme. Ju erdhët në atdhe të respektonit atdheun krenarisht dhe të merrnit prej tij, atë që mund të dëshirojë të marrë një emigrant. Zgjodhe Bregdetin e jugut, sepse je ndër ata shqiptarë që e do atdheun skaj më skaj, e centimetër më centimetër. Një bir si Ti, mund të dojë e adhurojë kështu, pa hile e pa llogari, atdheun. Por more plagë. More një shpim të thellë në zemër që nuk ka kohë që ta shëron dhe nuk ka fjalë që ta lehtëson.!!!
I dashur Bledar, jam në pikëllimë si shumë e shumë dhe miliona shqiptarë, për dhimbjen tënde sot. Unë, diçka më tepër.
Sepse tragjedia jote, ndodhi në vendlindjen time Himarë. Askush nuk do ta donte dhe askush nuk mund ta mendonte. Ju erdhët në skajin jugor të Atdheut të merrnit diçka nga kënaqësia e peizazhit dhe natyrës shqiptare në jug të vendit. Gati katër dekada më parë, im At në rrethana dhe kushte krejt të ndryshme mori të njëjtën dhimbje dhe pësoi gati shëmbëllisht të ngjashmen tragjedi. Atëherë ai shkroi: “Vijnë mandata/ s’ka kambanë/ s’gjendet qyqe për të qarë!” Shoqëria ka mbetur po ajo!